NGA IV KALOÇI*

Publikohet dokumenti tepër sekret i Sigurimit të Shtetit për aktivitetin e mërgatës politike në SHBA, ku mes të tjerash, shkruhet: “Lidhur me kursin për zbulim në Bari nga burimet tona informohemi se: pjesëtarët e kursit mbasi mbaruan lëndët, janë tërhequr për në SHBA dhe atje tani janë në pritje për t’i çuar edhe njëherë në kurs dymujor parashutizmi në bazën Monterni të Kalifornisë. Pjesëtarët e kursit i kanë ndarë në katër grupe që kur të krijohen konditat për t’u dërguar në Shqipëri, të veprojnë në këto zona: në Mirditë, përgjegjës Nikoll Shkoza; në Pukë, përgjegjës Pal Biba; në Dukagjin, përgjegjës Marash Marku dhe në Malësinë e Shkodrës, përgjegjës Mark Deçka. Anëtarët e tjerë të grupeve, sipas tyre, janë duke u përgatitur në Gjermaninë Perëndimore. Jemi në ndjekje për verifikimin e mëtejshëm të veprimtarisë dhe lëvizjes së tyre”.

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm u njohëm me raportin e Drejtorisë së Zbulimit pranë Ministrisë së Jashtme në Tiranë, të firmosur nga drejtori Jonuz Mersini, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, Behar Shtylla, “mbi veprimtarinë subversive të mërgatës politike shqiptare” në SHBA. Në atë raport, midis të tjerash kreu i zbulimit shqiptar informonte eprorët e tij në Tiranë, se CIA amerikanë kishte organizuar katër grupe shqiptarësh nga mërgata antikomuniste, duke i përgatitur ata në kurse desantimi për t’i zbarkuar në Shqipëri. Sipas raportit në fjalë, katër grupet kryesoheshin nga Nikoll Shkoza, Pal Biba, Mark Deçkaj dhe Marash Marku, të cilët do zbarkonin përkatësisht në zonat e Mirditës, Pukës, Malësisë së Shkodrës dhe në Dukagjin. Zbarkimi i këtyre krerëve të lëvizjes antikomuniste në këto zona bëhej për shkak se ata kishin banuar dikur aty dhe e njihnin mjaft mirë terrenin e popullsinë e atyre krahinave. Dhe nisur nga kjo, ata do ta kishin më të lehtë të realizonin misionin e tyre për të kontrolluar situatën për një zbarkim të mundshëm në Shqipëri, gjë e cila mbeti si plan vetëm në letër…
(vijon nga numri i kaluar)

VI. MBI EMIGRACIONIN REAKSIONAR DHE KOLONITE
Nga të dhënat e fundit të grumbulluara nga burime të ndryshme, gjendja në emigracionin reaksionar dhe kolonitë shqiptare të SHBA-ve paraqitet si më poshtë:
1. Në organizatën e “VATRES”: Si rezultat i rrugës dhe veprimtarisë së hapur antishqiptare që ka marrë kjo organizatë, këto vitet e fundit në këtë organizatë janë futur shumë elementë nga emigracioni reaksionar. Kjo masë të arratisurish natyrisht përfaqësojnë rryma të ndryshme të ish-organizatave tradhtare të vendit tonë ose t’atyre që nën udhëzimet e zbulimeve armike janë krijuar gjatë qëndrimit të tyre në emigracion. Pjesëmarrja e tyre në këtë organizatë ka për qëllim që përveç paralizimit dhe eliminimit të asaj pak influence që ushtrojnë te disa elementë patriotë nga emigracioni ekonomik, ka për detyrë që secili grup të forcojë pozitat e tij në krye të saj dhe duke e shtirë në dorë plotësisht, ta përdori emrin e saj si simbol për të grumbulluar të gjithë emigracionin reaksionar e ekonomik dhe për ta përdorur për qëllimet e zbulimit amerikan ndaj vendit tonë.

Është për këtë arsye që kohët e fundit në kuvendin vjetor të organizatës “VATRA” që u bë në Boston, dualën mirë në pah tre korrente që përpiqen të shtinë në dorë kryesinë e saj sipas interesave të tyre.

a) Krerët e grupeve të ndryshme reaksionare që përfaqësojnë “Legalitetin”, “Ballin Kombëtar” dhe “Lidhjen e Prizrenit”, siç theksuam edhe më sipër, përpiqen me të gjitha forcat që, pavarësisht divergjencat midis tyre, të marrin në dorë plotësisht “Vatrën” dhe rreth saj të grumbullojnë mundësisht të gjithë emigracionin ekonomik dhe reaksionar, bile me kohë dhe ata që aderojnë në organizatën “Shqipëria e Lirë”. Kundër këtyre janë vënë disa elementë me influencë nga emigracioni ekonomik, të cilët duke parë rrezikun që paraqet marrja e kësaj organizate nga ana e emigracionit reaksionar dhe pasojat që mund të ketë ajo me qëndrimin karshi Shqipërisë, po rezistojnë me të gjitha forcat që në kryesinë e saj të vihen elementë nga emigracioni ekonomik, s’ka gjë që edhe pse këta të jenë filo-amerikanë ose kuadro të tija, siç është rasti i kryetarit të tanishëm, Petër Çikozi, major rezervë i zbulimit amerikan.

Duket, megjithëse kjo e paverifikuar, që në mbështetje të këtyre është dhe FBI-ja e cila me anë të këtyre e mban më mirë nën kontroll aktivitetin e emigracionit shqiptar në Amerikë.
Ne kishim të dhëna prej kohësh se në gjirin e kësaj organizate, një grup “intelektualësh” ballistë po përpiqeshin të dilnin me një orientim të tyre dhe të viheshin në krye të saj. Dhe në kuvendin e fundit që u mbajt në qershor në Boston, ky grup që përfaqësohet nga Asim Jakova, Shefki Miraka, Agim Karagjozi etj., pjesa më e madhe kuadro të njohur të CIA-s, kritikoi udhëheqjen e vjetër të “Vatrës” dhe doli me këto kërkesa:

1. Të bëhen ndryshime në kryesinë e “Vatrës”, duke u vënë elementë të aftë për të realizuar në praktikë këto orientime që propozohen. Propozuan që në krye të “Vatrës” të vihej Agim Karagjozi dhe redaktor i “Diellit”, Eduart Liçe.

2. Të vazhdohen kritikat kundër regjimit në Shqipëri, por në të njëjtën kohë të vihen në pah edhe sukseset dhe anët pozitive dhe të mos përdoren shprehje banale që ulin dinjitetin e organizatës.
3. Të hiqet dorë nga polemika dhe lufta që “Vatra” bën kundër organizatës “Shqipëria e lirë” dhe të ndiqet me të një politikë afrimi dhe pajtimi.

4. Të hiqet dorë nga lufta kundër Peshkopatës shqiptare në SHBA dhe të pranohet Stefan Laska si Peshkop.
Grupi nuk ia arriti qëllimit, për arsye se kryesia e “Vatrës” ishte në dijeni më parë për këtë dhe e përgatitur për t’i përballur dhe mposhtur, duke i akuzuar më në fund edhe si “spiunë” të Tiranës, në shikim të programit të tyre të “moderuar”.

Duke pasur parasysh kërkesat e tyre dhe përbërjen e grupit, arrijmë në konkluzion se qëllimi i tyre ka qenë:
– Meqë në organizatën e “Vatrës” tash për tash, pozitat më të forta nga grupet e të arratisurve i kanë ata “Legalistë”, grupi ka dashur që në këtë mënyrë të forcojë aty influencën e “Ballit Kombëtar”, sepse shumica aty janë të asaj prirje.

– Po të aprovohej ky program, gradualisht do të arrihej edhe bashkëpunimi në mes “Vatrës” dhe organizatës “Shqipëria e lirë”, duke pasur natyrisht si bazë propagandën kundër R.P. të Shqipërisë.
– Në këtë mënyrë me kohë do të eliminohej edhe çdo kufi dhe çdo fërkim që ekziston tani në mes të emigracionit reaksionar dhe atij ekonomik.

– Duke kritikuar “në mënyrë serioze” politikën e qeverisë sonë, por edhe duke popullarizuar edhe sukseset e arritura nga R.P. e Shqipërisë në fusha të ndryshme të jetës, ata mendojnë të paraqiten “më objektivë” dhe “asnjanës” në gjykimin e çështjeve dhe në këtë mënyrë nga një anë fitojnë përkrahjen e besimin e të gjithë emigracionit ekonomik në SHBA dhe nga ana tjetër shpresojnë se duke zbutur qëndrimin karshi vendit tonë, lënë shteg për hyrje dhe dalje të emigracionit ekonomik në Shqipëri, gjë që do t’u shërbente organeve të Zbulimit amerikan për veprime të tyre kundër vendit tonë.

2. Në organizatën reaksionare të Ballit Kombëtar. Deri kohët e fundit, kjo ka qenë një organizatë më me pak të çara dhe që e ka paraqitur vetën me përbërje elementësh më pak të pakompromentuar, qoftë gjatë okupacionit të vendit tonë, qoftë edhe gjatë periudhës së emigracionit. Si rezultat i kësaj demagogjie dhe manovrave të bëra nga Abaz Ermenji e pasonjësit e tij, ajo ka grumbulluar rreth vetes mjaft nga masat e të arratisurve. Drejtohet nga Zbulimi anglez dhe qëndron në opozitë dhe në polemika me të gjitha organizatat e tjerë të emigracionit reaksionar që drejtohen nga Zbulimi amerikan dhe Zbulimet e tjera.

Nga ana e komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe grupet e tjera reaksionare, shpesh i janë bërë thirrje Ballit Agrar që të bisedojnë dhe të gjejnë një formulë bashkimi të të gjithë emigracionit në interes të “çështjes shqiptare”, por këta asnjëherë nuk kanë pranuar, sepse grupet e tjera i quajnë të kompromentuar.

Nga të dhënat që kemi nga burimet tona, kohët e fundit duken shenja se edhe në gjirin e kësaj organizate kanë lindur mosmarrëveshje, të cilat kanë shkaktuar një ndarje në tri grupe:
a) Grupi që kundërshton çdo tentativë për bisedime dhe bashkim me grupet e tjera reaksionare, si “Balli Kombëtar”, “Legaliteti”, “Blloku Indipendent”, etj., të cilët – thonë ata – janë të kompromentuar keq në veprimet e tyre, qoftë gjatë luftës, qoftë tani në emigracion. Në krye të këtij grupi qëndron Abaz Ermenji i përkrahur nga “Intelixhens Servisi”.

b) Grupi që bën të gjitha përpjekjet për t’u bashkuar dhe për t’u afruar me të gjitha organizatat e tjera reaksionare, përfshi këtu edhe “Lidhjen Kosovare”. Këtë ata e argumentojnë me domosdoshmërinë e krijimit të “Frontit të Bashkuar të Emigracionit”, po të jetë nevoja jo në kuadrin e komitetit “Shqipëria e Lirë”, (sepse ata e dinë që këtë e kundërshton Abaz Ermenji), por ndoshta bashkimi të bëhet me organizatën e “Vatrës” që ka edhe traditë patriotike. Ky grup udhëhiqet nga Luan Gashi dhe ka nxitjen e mbështetjen e CIA-s.

c) Grupi asnjanës i Vasil Andonit, i cili në fakt anon në mbështetje të grupit të Luan Gashit dhe të CIA-s, por që tash për tash preferon që për “hir të unitetit” të qëndrohet në pozitë ku janë dhe tentativat për bisedime dhe bashkim të bëhen gradualisht me zhvillimin e situatës.
Nga sa del nga burimet tona, në ambientet që kundërshton qëndrimin e Abaz Ermenit dhe që shprehen për bashkimin e emigracionit ku bën pjesë dhe tradhtari Sadik Premtja. Ka të dhëna se Sadiku në bashkëpunim me persona të tjerë të kombësive të ndryshme, të revizionuara nga partitë e tyre si trockistë, kërkon të formojë një “grup politik” me karakteristikat e “Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë”.

3. Në organizatën reaksionare të “Legalitetit”. Një gjendje e tillë e përçarë dhe plot grindje ekziston edhe në grupin reaksionar të “Legalitetit”, por ndërsa në dy të parat, grindjet dhe ndarjet reflektohen më tepër në orientimet e tyre, këtu ato shkaktohen kryesisht për grindjet dhe ambiciet e krerëve të tyre reaksionarë, sidomos mes Abaz Kupit si kryetar nga njëra anë dhe Selim Damanit si sekretar nga ana tjetër. Grindjet mes tyre ka kohë që ekzistojnë, por muajt e fundit ato janë acaruar shumë dhe duket se Selim Damani po eliminohet me grupin e tij.

Më sipër theksuam se “Legaliteti” është grupi i emigracionit reaksionar, që deri tashti ka konsoliduar pozita të mira në organizatën e “Vatrës”. Por grindjet dhe shisjonet brenda tyre kanë filluar të trondisin dhe pozitën e tyre n’atë organizatë. Është për këtë arsye se kohët e fundit ata po bëjnë përpjekje që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet, duke marrë këto masa:

a) I bëjnë thirrje Leka Zogollit që të shkojë në SHBA dhe që me influencën e tij të evitojë grindjet dhe të sigurojë unitetin e grupit. Ditët e fundit Leka shkoi në SHBA dhe aktualisht atje ndodhet e po punon dhe po vepron në këtë drejtim. Në pritjen që ju bë në Nju Jork merrnin pjesë edhe emigrantë ekonomikë nga organizata e “Vatrës”, sidomos nga kryesia. Në bisedimet me emigrantët reaksionarë, burimet tona na informojnë se Leka mbasi i bëri elozhe “rrugës së ndritur të Vatrës” për problemet e shqiptarizmit, këshilloi masën e emigracionit reaksionar për të mos u dekurajuar, të kenë durim dhe t’i shikojnë gjërat realisht, sepse çështja e kthimit të tyre në Shqipëri, mund edhe të zgjatë për një kohë që nuk parashikohet, sepse ajo është e varur nga zhvillimi i situatës ndërkombëtare.

b) Masa tjetër që mendojnë të marrim për evitimin e grindjeve është thirrja e “Kongresit të Legalitetit”, që duhet të mbahet në muajt e parë të vjeshtës. Për thirrjen e kongresit në kryesi ka mendime të kundërta dhe akoma nuk është vendosur.

Një situatë e tillë neve me forma dhe mjete të ndryshme legale dhe ilegale po e shfrytëzojmë për të thelluar më tepër këto divergjencë dhe grindje të tyre, në mënyrë që të krijohet një situatë sa më e disfavorshme dhe e pamundshme për të realizuar “bashkimin e emigracionit reaksionar”. Mundësitë për një punë të tillë nga ana jonë janë të favorshme.
Drejtori
Jonuz Mersini

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb