Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka përshëndetur miratimin e paketës “Anti-KÇK”. Përmes një reagimi, delegacioni thekson se do të ndjekin zbatimin e aktit normativ që tashmë ka hyrë në fuqi.

Mes të tjerash delegacioni i BE-së bën thirrje që masat e reja ligjore të zbatohen dhe të ndiqen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

“”Ndiq paratë” ka provuar se është një mënyrë shumë e efektshme për të luftuar konkretisht organizatat kriminale. Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë, që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem.

Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që masat e reja ligjore të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të akuzuarve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Është gjithashtu e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK-un. Ne vazhdojmë ta inkurajojmë Qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës.”, theksohet në reagim.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb