ELBASAN – Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap në flagrancë duke tentuar të korruptonte një prokurore. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Gëzim Peçi, banues në fshatin Krrabë, pasi gjatë ditës së djeshme, është paraqitur pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në zyrën e prokurores A.XH, për t’i dorëzuar një certifikatë familjare dhe një vërtetim të KMCAP, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka regjistruar procedimin penal Nr.1892 të vitit 2015 për nënën e tij, shtetasen Z.P.

Gëzim Peçi i ka thënë prokurores se kishte një porosi nga nëna e tij dhe ka nxjerrë një shumë parash prej 36.000 lekë, për t’ia dhënë Prokurores, e cila ka njoftuar menjëherë policinë, ku dhe është bërë arrestimi i tij në flagrancë.

“Arrestohet një shtetas për veprën penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Specialistët për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: Gëzim Peçi, vjeç 46, banues në fshatin Krrabë Tiranë. Ky shtetas u arrestua nga efektivat e policisë. Ky shtetas i ka thënë prokurores se kishte një porosi nga nëna e tij dhe ka nxjerrë një shumë parash prej 36.000 lekë, për t’ia dhënë Prokurores, e cila ka njoftuar menjëherë policinë ku dhe është bërë arrestimi në flagrancë i tij. Lekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal.”- thuhet në njoftimin e policisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: