ITALI

Italia pritet të ndjekë shembullin e Koresë së Jugut, ku periudha e epidemisë së koronavirusit shpërtheu në të njëjtën kohë me Itali.

Por deri tani Koreja e Jugut ka 8.652 të infektuar ndërkohë që Italia ka afro 40 mijë infektuar. Në Korenë e Jugut që prej 21 shkurtit kur nisi epidemia kanë humbur jetën 92 persona ndërsa Italia e cila ia kaloi dhe Kinës ka 4032 të vdekur. Strategjia që ka ndjekur Koreja e Jugut është ajo testimit masiv të popullsisë.

Teste për të gjithë njerëzit me simptoma të gripit, intervista të rrepta të personave që kanë ardhur nga vendet e prekura, madje edhe me ndërhyrjen e policisë – për të kuptuar me kë kanë rënë në kontakt dhe me karantinë të menjëhershme.

Kanë qenë këto masa të rrepta që ka marrë Koreja e Jugut duke mos lejuar përhapjen në masë siç po ndodh në Italinë e veriut, sidomos në provincën e Lombardisë.

Disa mjekë kinezë, të cilët mbërritën në Itali disa ditë më parë për t’i ndihmuar në luftën kundër koronavirusit u habitën me Italinë e cila kishe shumë njerëz që dilnin në rrugë. Ata thanë se duhen masa më të rrepta për të parandaluar përhapjen e koronavirusin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb