*Felaj për “News24”: Propozimi është shkresë e re, u depozitua në Kuvend*

TIRANE – Kryeministri Rama rikthen në Kodin Penal ndëshkimin me burg për veprën penale të shpifjes. Edhe pse në opozitë kryesocialisti Rama e quajti një veprim të drejtë heqjen e këtij neni nga Kodi Penal, sot që është në qeveri ka propozuar kthimin e këtij neni kundër shpifjes ndaj funksionarëve të lartë.

Në propozimin në fjalë, shtohet neni 238/a me përmbajtje: “Shpifja ndaj një funksionari të lartë shtetëror, apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet”.
Ky ndryshim i propozuar ka mbërritur në Kuvend, dhe sipas burimeve të “News 24”, do të kalojë fillimisht në komisionet parlamentare.

Deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga deputetët e Partisë Socialiste apo të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mbetet për tu parë se cili do të jetë qëndrimi i LSI-së për këto ndryshime, duke pasur parasysh se votat e saj janë përcaktuese për kalimin e këtij neni. Ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë 84 vota.

Ndërkohë, ministrja e Shtetit për Çështjet me Parlamentin, Ermonela Felaj konfirmon për “News 24” depozitimin në kuvend të shtesës së nenit për shpifjen ndaj zyrtarëve dhe funksionareve të lartë.
“Propozimi është shkresë e re. Shtesa është bërë më vone se ndryshimet që u miratuan në Komisionin e Ligjeve. Nuk është përfshirë ende në program. Jemi ende herët për të folur. Propozimi është depozituar në kuvend, do kalojë për diskutim. Ndryshimet në Kod bëhen me 84 vota. Nëse nuk kalojnë në parlament, së bashku me ndryshimet e miratuara më herët, mund të kalojë në një kohë të dytë. Propozimi ka kaluar në të gjitha Ministritë, është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe më pas shkon në Kuvend.”- deklaroi ministrja Felaj.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: