Mbi 20 mijë biznese, në vështirësi financiare nga situata COVID-19, kanë përfituar ristrukturim të kredive nga bankat tregtare.

Kështu u shpreh sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë takimit të organizuar në Bankën e Shqipërisë me temë “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Sfidat e përbashkëta ekonomike në kushtet e pandemisë globale COVID-19”.

Sejko tha se, “në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, Banka e Shqipërisë, në dakordësi e mirëkuptim me industrinë bankare, ka kryer ndryshime rregullatore, të cilat lehtësojnë shtyrjen me një tremujor të pagesës së këstit të kredisë për bizneset e familjet në vështirësi të përkohshme financiare”.

“Sipas raportimeve të deritanishme, nga kjo lehtësi kanë përfituar mbi 20,000 biznese, të cilat kanë kredi, pranë bankave, që llogariten mbi nivelin e dy miliardë eurove. Gjithashtu, ne kemi pezulluar përkohësisht shpërndarjen e dividendit nga sektori bankar, në interes të forcimit të treguesve të kapitalizimit të këtij sektori”- deklaroi Sejko.

Sipas tij, politika fiskale ka marrë një rol primar në përballimin e situatës. Kjo politikë mund të ofrojë një mbështetje direkte të kërkesës agregate, nëpërmjet transfertave fiskale, si dhe një përmirësim të menjëhershëm e të shënjestruar të likuiditetit për bizneset, nëpërmjet shtyrjes së pagesës së taksave e tatimeve dhe nëpërmjet programeve të garancisë sovrane.

“Dy paketat fiskale, të shpallura deri tani, ofrojnë një stimul potencial maksimal rreth nivelit 3% të PBB-së. Edhe pa marrë në konsideratë efektin negativ në të ardhurat publike, ky stimul transferon në bilancet e sektorit publik një pjesë të konsiderueshme të faturës financiare të krizës”- tha Guvernatori.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë, vijoi Sejko, ka rritur dozën e stimulit monetar. “Ky stimul ka marrë formën e uljes së normës bazë të interesit, tashmë në minimumin historik prej 0.5%, duke synuar nxitjen e kreditimit dhe uljen e kostos së shërbimit të kredive ekzistuese”.

Vëllimi i likuiditetit që ne injektojmë çdo javë në sistemin financiar luhatet rreth nivelit 2% të PBB-së. Paralelisht me to, ne kemi marrë dhe masa operacionale për garantimin e furnizimit të ekonomisë me para fizike, në përgjigje të kërkesave të shtuara të saj.

Guvernatori tha se, filozofia e reagimit të BSH është zbutja e pasojave të krizës dhe krijimi i parakushteve për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë me përfundimin e saj.

“Në këtë konteks, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar, si dhe minimizimi i efekteve negative të pandemisë në kapacitetet tona prodhuese, janë dy parakushte kyçe për rimëkëmbje. Për këtë arsye, objektivi i politikave tona është aplikimi i stimujve të duhur në kohën e duhur, por pa paragjykuar për asnjë moment stabilitetin monetar dhe financiar të vendit”- tha ai.

Duke u ndalur në situatën e biznesit dhe sektorit bankar përballë Covid-19, Guvernatori theksoi se, “biznesi shqiptar përballet me një sfidë serioze ndaj së ardhmes së tij, sfidë e cila në segmente të caktuara ka përmasa thuajse ekzistenciale. Në të njëjtën kohë, shëndeti afatgjatë i sektorit bankar dhe nëpërmjet tij, siguria e kursimeve të qytetarëve dhe stabiliteti financiar i vendit, është i lidhur ngushtë me shëndetin e biznesit”.

Ndërsa shtoi se, kredia e sektorit bankar për bizneset është pothuaj katërfishuar gjatë dy dekadave të fundit. “Ajo përbën rreth 25% të bilancit të bankave dhe rreth 25% të PBB-së, ndërkohë që fluksi i marrëdhënieve bankë – biznes shtrihet edhe në fushën e produkteve të tjera financiare dhe të shërbimeve të pagesave”- deklaroi Sejko.

Guvernatori tha se, sfidat e BSH-së përballë kësaj janë: Përballimi i emergjencës shëndetësore. (Biznesi dhe sektori bankar duhet ta kenë të qartë se kapitali njerëzor është aseti më i çmuar i çdo kompanie. Për këtë arsye, çdo masë e nevojshme për garantimin e shëndetit të punonjësve nuk duhet parë si shpenzim, por si një investim strategjik në të ardhmen e biznesit).

Rishikimi i modelit të biznesit dhe rritja e fleksibilitetit operacional. (Një nga mësimet e kësaj krize është se secili nga ne mund të bëjë më shumë për adoptimin e teknologjisë së informacionit, për zhvendosjen e një pjese të biznesit online, si dhe për rritjen e fleksibilitetit dhe të eficiencës operacionale).

Ruajtja e likuiditetit dhe e aftësisë paguese të bizneseve. (Goditja që pësuam e gjeti biznesin shqiptar me një nivel historikisht të lartë likuiditeti; depozitat e tij në sektorin bankar ishin pranë nivelit 12% të PBB-së në fund të tremujorit të parë. Paralelisht me to, aksesi i biznesit në fonde likuide bankare, në formën e overdraftit apo të linjave të kreditit, është në madhësi të krahasueshme me depozitat e vetë biznesit).

Ruajtja e kapaciteteve prodhuese të ekonomisë. (Kjo sfidë nënkupton ruajtjen e shëndetit të bizneseve individuale si dhe funksionimin e të gjithë zinxhirit të prodhimit e të tregtimit)

Ruajtja e stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Në përfundim të fjalës së tij Guvernatori tha se, biznesi shqiptar duhet të tregohet transparent dhe luajal me sektorin bankar. Ky sektor duhet të ofrojë ndihmën e tij në përballimin e krizës, por ai nuk mund ta përballojë i vetëm faturën financiare të saj.

“Po ashtu, vijoi ai, sektori bankar duhet të gjejë një ekuilibër të drejtë midis mbështetjes së kredimarrësve në nevojë në interes dhe përfitim afatgjatë të dyanshëm dhe ruajtjes së shëndetit të bilanceve të tij” – tha Sejko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb