TIRANË

“Besoj se do konfirmohet me një ngushticë të vogël primati i LSDM-së. Besoj që manovra që ata përdorën për të marrë në varkën e vet një parti shqiptare, një parti si Besa do të shërbejë”.

Kështu parashikon analisti Mentor Nazarko se do të ndodhë me zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut teksa komentoi në “Opinion” në News24, situatën në këtë vend si dhe në Kosovë.

“Loja që ka bërë BDI me kartën etnike- kryeministër shqiptar e ka ekstremizuar pak lojën dhe retorikën ndëretnike. Mendoj që do rikonfirmohet dhe BDI-ja si parti numër një e shqiptarëve, ndonëse do kenë rritje partitë e tjera. Megjithatë ngelem plot simpati për mënyrën se si ai shtet i vogël, i kërcënuar së brendshmi dhe së jashtmi arrin t’i tresë krizat që prodhon po vetë, pra me burime të brendshme, pa ndihmën ndërkombëtare”, tha Nazarko.

Sa i përket Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi në Hagë, bisedimeve me Serbinë, Nazarko deklaroi se Kosova ngjan e dobësuar ndërkombëtarisht, por se ka dhe një mënyrë tjetër për ta shikuar gjysmën e gotës plot.

“Kemi hyrë në një proces të ri dialogu me shtysën amerikane, ku tashmë topin po e luan aksi frankogjerman. Megjithatë, Kosova njëlloj si “proletari.. sipas përkufizimit të Marksit që …nuk kishte se çfarë të humbte veç prangave të veta”, mund t’i thotë bashkësisë ndërkombëtare se nuk ka çfarë koncesioni mund të bëjë, përveç dorëzimit të presidentit që sot është në Hagë. Në këtë kuptim ne nuk bëjmë asnjë kompromis tjetër. Por mendoj që klasa politike kosovare sot po tregon dobësi në krahasim me momente të tjera të historisë së afërt, kur ka treguar pjekuri dhe sens uniteti. Nesër ka takim Hoti-Vuçiç: ky ishte momenti që kryeministri Hoti me shumicën e tij të dobët të tregonte shumëçka: se kishte një platformë, se kishte grup ekspertësh; se kishte grup negociator, pra që kishte bërë negociata me partitë e tjera dhe të opozitës, dhe sigurisht me presidentin dhe me ekipin e presidentit, pavarësisht se ai është në Hagë. Se në fund të fundit Thaçi ka qenë në gjithë proceset negociatore që nga Rambujeja në 1999 e këtej. Është fyerje për miqtë tanë perëndimorë të paraqitesh pa u përgatitur. Politika kosovare është duke bërë hapa mbrapa në raport me atë që ka bërë më herët, kur Rugova bashkëpunonte me Thaçin, Haradinajn, etj. Duhet të tregojnë të njëjtën pjekuri si dikur”, deklaroi Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb