Pas vrasjes me sende të forta të shoferit Gëzim Saraçi brenda kamionçinës së tij, të tjera detaje mësohen në lidhje me autorin e dyshuar të ngjarjes.

Policia e Gjirokastrës ka ngritur postblloqe të shumta për kapjen e tij, ndërsa detajet i bën të ditura për “BalkanWeb”, gazetarja Brikena Metaj.

Sipas burimeve policore, autori dyshohet të jetë nga Derviciani i Dropullit. Menjëherë pas sherrit me shoferin që mbeti i vrarë, ky i fundit ka marrë në telefon familjarët e tij duke thënë: “Më kanë qëlluar, më kanë vrarë”. Kanë qenë familjarët e tij që kanë shkuar të parët në vendngjarje dhe kanë gjetur viktimën Gëzim Saraçi, por jo familjarin e tyre.

Policia dyshon se ai mund të jetë plagosur pas ngjarjes dhe është larguar në drejtim të paditur.

NJOFTIMI
Në aksin rrugor rural Polican-Suhë, shtetasi G. S., 57 vjeç, banues në Gjirokastër, në rrethana ende të paqarta është gjetur i pajetë në mjetin e tij tip kamionçinë.

Nga këqyrja paraprake dyshohet se është goditur me sende të forta.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komsiariatit të Policisë Gjirokastër kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: