Pas nisjes së operacionit humanitar për riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë nga kampi Al Hawl në Siri dhe lajmit që 4 fëmijë dhe një grua do të kthehen në Shqipëri, për familjen Shuli u ndez një dritë shprese për rikthimin e 5 mbesave dhe nipërve të tyre të cilët prej 7 vitesh ndodhen në këtë kamp.

Nga fshati Zagorcan i Pogradecit, gjyshërit e përmalluar, apelojnë për ndihmë, ndërsa me lajmin e qeverisë shqiptare, Dylber dhe Asije Shuli, kërkojnë rikthimin e fëmijëve nga kampi sirian.

Me lot në sy ata tregojnë se kanë humbur komunikimin me nipërit prej 3 ditësh dhe kujtojnë pikërisht mesazhin e fundit të shkëmbyer me mbesën e madhe Elona Shulin, e cila u kishte kërkuar ndihmë për tu kthyer pranë tyre pasi frika e saj më e madhe ishte përballja me ushtarët.

Shpresa se një ditë do të takojnë nipërit dhe mbesat e tyre ka bërë që gjyshërit Shuli të qëndrojnë të fortë përballë kësaj situate ndërkohë që për ta dhimbja po i vret dalëngadalë.
7 vite më parë Krenari djali i familjes Shuli së bashku me bashkëshorten dhe 3 vajzat u larguan drejt kampit Sirian.

Prej 4 vitesh Krenar Shuli është vrarë ndërsa bashkëshortja e tij Adelina është zhdukur duke lënë jetim dhe në kushte të vështira 5 fëmijët e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: