Komisioni Europian miratoi dje një plan për të siguruar qasje në ilaçe, veçanërisht në ato të përgjithshme, në të gjithë BE dhe me çmime të përballueshme, masa që synojnë të shmangin mungesat e përjetuara gjatë pandemisë dhe të cilat do të jenë subjekt i një projekti legjislativ në vitin 2022.

Kjo strategji farmaceutike europiane, e cila duhet të shqyrtohet nga të 27-t në dhjetor, është pjesë e projektit ambicioz “Europa e shëndetit”, që ekzekutivi europian e ka bërë një përparësi.

“COVID-19 ka treguar qartë kufijtë tanë përsa i përket të dhënave të disponueshme mjekësore, furnizimit me ilaçe, kapacitetit të prodhimit. Ne kurrë nuk duam t’i shohim sërish këto probleme”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit, Margaritis Schinas, në një konferencë.

“Ne kemi nisur tashmë një studim për të identifikuar qartë dobësitë në zinxhirët e furnizimit dhe në 2022 ne do të propozojmë një rishikim ambicioz të legjislacionit farmaceutik europian”, tha eurokomisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides.

Ndërsa shëndeti mbetet një kompetencë e shteteve anëtare, objektivi i BE-së është të ndërtojë autonominë e tij strategjike në prodhimin e ilaçeve.

Përtej zhvendosjeve të mundshme, KE planifikon të inkurajojë larmishmërinë e burimeve të ilaçeve, furnizimin dhe konstituimin e stoqeve strategjike të listuara.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb