PARIS

Ish-presidenti francez Valery Giscard d’Estaing, një arkitekt kryesor i integrimit evropian në fillim të viteve 1970, ka vdekur në moshën 94 vjeç, pasi ishte infektuar me COVID-19.

Giscard, i cili ishte udhëheqësi i Francës nga 1974 në 1981, ishte shtruar kohët e fundit në spital në Tours, në Francën perëndimore.

Ai vdiq në shtëpinë e familjes së tij, pasi vuajti nga ndërlikimet e lidhura me virusin, tha një fondacion që ai e kishte ngritur dhe drejtuar në një deklaratë për mediat, shkruan Reuters.

Ai ishte shtruar në spital në shtator me ndërlikime të frymëmarrjes dhe u shtrua përsëri në spital në mes të nëntorit. Giscard ishte i njohur për drejtimin e një modernizimi të shoqërisë franceze gjatë presidencës së tij, duke përfshirë lejimin e divorcit me pëlqimin e ndërsjellë dhe legalizimin e abortit, dhe ishte një nga arkitektët e integrimit evropian.

I zgjedhur president në moshën 48 vjeç, ai erdhi në pushtet pas sundimit të gjatë të Charles de Gaulle, duke kërkuar të liberalizonte ekonominë dhe qëndrimet shoqërore dhe u kreditua me fillimin e projekteve të mëdha, duke përfshirë rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë TGV të Francës. Ai humbi mundësinë e tij për rizgjedh, ndaj socialistit Francois Mitterrand, pas rënies ekonomike globale të viteve 1970.

Homazhet u mbajtën nga gjithë spektri politik në Francë. Ish Presidenti Nicolas Sarkozy tha se Giscard kishte “punuar gjithë jetën e tij për të forcuar marrëdhëniet midis kombeve evropiane”.

Kreu i partisë qeverisëse të Presidentit Emmanuel Macron në parlament, Christophe Castaner, tha: “Politikat e tij moderne dhe me vendosmëri progresive … do të shënojnë gjatë trashëgiminë e tij”.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb