Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fushë-Krujë, ku po ndërtohet lagjja e re, pas rrënimit të një viti më parë dhe ku do të strehohen rreth 1200 banorë të prekur nga tërmeti.

Bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Kryeministri Rama inspektoi lagjen e re ku po ndërtohen 128 njësi individuale banimi dhe 15 pallate.

Rama shkruan në “Facebook” se po “merr formë Lagja e Rilindjes pas rrënimit katastrofik të një viti më parë dhe ku do të strehohen, në kushte pakrahasimisht më të mira se më parë, rreth 1200 banorë të prekur nga tërmeti”.

Ministri Ahmetaj theksoi se “janë 100 apartamente dhe 128 njësi banimi”. “Për pallatet procedura është duke u mbyllur, ndërsa këtu kemi 128 njësi banimi të organizuara në një kompleks njësish me të gjitha ambientet ndihmëse dhe komunitare”.

Ai theksoi se “në total, në Fushë Krujë do të ndërtohen 15 pallate për të gjitha familjet e dëmtuara dhe 128 njësi individuale në kompleks”.

“Besoj se me këto njësi banimi dhe të gjitha ambientet akomoduese shoqëruese komunitare ne mbarojmë në fund të marsit”, tha ai.

Ndërkohë Ahmetaj theksoi se për pallatet deri në 15 janar do të hapim kantierin dhe në fund të korrikut i dorëzojmë. “Pra për ndërtimin e pallateve nga faza e hapjes së themelit nevojiten 6 muaj”, tha ai.

Ndërkohë nga 128 njësitë individuale në Fushë-Krujë, në 10 shtëpitë e para punimet janë në fazën e çative, në 65 shtëpi ka filluar muratura dhe në 35 të tjera kanë përfunduar bazamenti.

“Tani jemi në një front totalisht të hapur për pallatet, përveç se akoma ka mbetur Kombinati. Po vijojmë në Kavajë, e njëjta gjë po ndodh te ‘5 Maji’, po ashtu në Laç”, tha Ahmetaj.

Kjo sipas tij do të thotë se deri maksimumi në mars 2022 gjithë shenjat e tërmetit janë fshirë nga faqja e dheut.

Ahmetaj tha se “në çdo bashki kemi vënë në dispozicion fondet për pastrimin e territorit dhe largimin e inerteve, ndërkohë që FSHZH vazhdon procedurën për pallatet”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb