TIRANË

Me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi me votim të fshehtë Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar parlamenti voton për shkarkimin e një Presidenti.

Ligjvënësit socialistë dhe shumë prej atyre të opozitës parlamentare bashkuan votat për largimin e parakohshëm të Ilir Metës nga Presidenca. Votimit i parapriu një seancë mëse 4 orëshe, ku u lexua dhe u votua raporti i komisionit hetimor parlamentar, ndërsa deputetët argumentuan nga foltorja qëndrimin e tyre.

Nga foltorja e Kuvendit votën kundër shkarkimit të Metës e deklaruan hapur deputetët Artur Roshi, Lefter Maliqi, Suzana Topi, Fatjona Dhimtri, Elda Hoti e Gjetan Gjetani. Në votimin për shkarkimin e presidentit mungonin deputetet Olta Xhaçka, Fidel Yllli, Rudina Hajdari, Korab Lita, Agron Kapllanaj, Ambra Borova.

Me gjithë votimin në Kuvend Ilir Meta do të vijojë të jetë President i Republikës, deri në vendimin final të gjykatës kushtetuese, pasi është ky institucion që thotë fjalën e fundit.

Një tjetër vendim i Kushtetueses është edhe nëse këtë çështje do e cilësojë prioritare dhe do e shqyrtojë jashtë radhe, apo do vendoset në radhe pritjeje, bashkë me 180 çështje të tjera që pritet të gjykohen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb