Gjendet pas dy ditësh 12-vjeçari i zhdukur nga Durrës. I mituri ishte larguar prej dy ditësh nga banesa, teksa sot emisioni “Me zemër të hapur” në News24 i gazetares Evis Ahmeti i është kushtuar plotësisht kërkimeve për 12-vjeçarin. pas thirrjeve të babait të tij Gazmendit, 12-vjeçari është gjetur në Sarandë.

Babai tha në një lidhje telefonike se sapo e kishte marrë informacionin, teksa në rrugë për në Sarandë, ai nuk i ka mbajtur dot lotët.

“Motra sa më erdhi një informacion, e kanë gjetur djalin. Unë tani jam në Fier, rrugës për në Sarandë. Faleminderit shumë të gjithëve, faleminderit ju, faleminderit Policisë së Shtetit”, tha babai.

Edhe shefi i policisë së Sarandës Syrja Bellaj konfirmoi gjetjen e djalit.
“Është në gjendje të mirë, po shoqërohet në Komisariat për t’u intervistuar dhe për të mësuar se çfarë ka ndodhur. Është vetëm djali”, tha ai.

Ka qenë babai i tij, i cili ka apeluar ndihmë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe ka deklaruar se djali 12-vjeçar është larguar nga banesa pa asnjë njoftim. Mes lotësh dhe dhimbjes babai i 12-vjeçarit ka rrëfyer se ka ndodhur edhe herë të tjera largimi i tij nga banesa, por që nuk ka tentuar kurrë që të mos kthehej.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb