Pasi në media qarkulloi një video ku shiheshin dy policë bashkiakë që largonin nga trotuari një shitëse ambulante, dhe më pas i hodhën në rrugë produktet që tregtonte, vjen një reagim nga presidenti Ilir Meta.

Në një postimin në ‘Facebook’ Meta ka dënuar me forcë sjelljen e policëve, që sipas tij kanë qenë joprofesionale.

Kreu i shtetit, i bëri thirrje Bashkisë së Tiranë, të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikëri të ligjit dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

REAGIMI I METËS
Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale, të dhunshme dhe të dënueshme ligjërisht të disa punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë ndaj të moshuarve, shitës ambulantë.
I bëj thirrje Bashkisë Tiranë, që në mënyrën më të papërgjegjshme ka dhënë edhe në të kaluarën e afërt shembullin më të keq të marrëdhënies së pushtetit vendor me qytetarët, të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo institucion dhe autoritet.
Urdhëruesit dhe autorët e këtyre akteve arbitrare, që po kthehen në një fenomen të përsëritur dhe thellësisht shqetësues për banorët e kryeqytetit, meritojnë të marrin përgjigjen e menjëhershme nga drejtësia!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: