Çarçafë të bërë gërshetë, dhe një çengel hekuri. Këto kanë qenë mjetet me të cilat Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri tentuan që të arratiseshin nga burgu 313. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për ‘BalkanWeb’ mjetet rrethanore të improvizuara si litarë, me të cilat dy të burgosurit do të arratiseshin nga ambientet e vuajtjes së dënimit. Pavarësisht tentativës, gjithçka rezultoi e dështuar.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Burgjeve, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri (një prej anëtarëve të bandës së Babagjushëve) organizuan në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tentativën e arratisjes. Ata shfrytëzuan situatën e stisur nga një i paraburgosur tjetër, i cili ka tërhequr vëmendjen e forcave të sigurisë duke prerë damarët e dorës.

  • foto galeri
  • foto galeri

Siç u raportua edhe dje, menjëherë gardianët kanë shkuar për t’i ofruar ndihmën e parë të paraburgosurit, ndërsa Çekaj dhe Pjetri, të cilët kanë qenë në zonën e ajrimit në katin e tretë, kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë tentuar të arratisen. Gazetarja Lala raporton se pasi janë zbritur nga lartësia përmes çarçafëve, duke rënë në oborrin e administratës, Çekaj dhe Pjetri janë pikasur nga oficeri i vrojtimit të kullës, i cili ka sinjalizuar kolegët e tij për arratisjen. Këta të fundit kanë bërë të mundur ndalimin e tyre.

Kujtojmë se Çekaj akuzohet për trafikim të 613 kg kokainë, të cilat u kapën në një kontejner me banane, që ishin porositur nga kompania “Abri Garden” në pronësi të tij.

Çekaj u arrestua nga Policia në vitin 2018. Asokohe rezultoi se Çekaj të ishte larguar nga Shqipëria tre ditë para se të sekuestrohej kokaina në Portin e Durrësit.

Sipas sistemit TIMS, ai ishte nisur nga Rinasi me destinacion Gjermaninë, pasi në këtë vend udhëtonte shpesh. Ndërkohë arrestimi i Çekajt është bërë në shtetin gjerman, ndërsa ai është dënuar nga autoritetet shqiptare me 14 vite burgim.

Po ashtu, në muajin prill të këtij viti, është vendosur në pranga dhe babai i Arbrit, 72-vjeçari Selim Çekaj. Ky i fundit ditën e djeshme kërkoi zbutje të masës së sigurisë, nga ‘arrest me burg’, në ‘arrest shtëpie’, por kjo kërkesë u refuzua nga GJKKO. Pikërisht një ditë pasi Gjykata e Posaçme dha këtë vendim, djali i tij, Arbri, u përpoq të arratisej nga burgu. Ai nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura dhe dënimin e dhënë, duke pretenduar se persona të tjerë kanë shpifur dhe implikuar atë në trafikimin e kokainës. Çekaj ka pretenduar në rrëfimet e tij në Gjykatë se është i pafajshëm dhe se është bërë “kurban” nga politika, për të dhënë idenë e “arrestimit të peshqve të mëdhenj”.

Ndërkohë, i burgosuri tjetër që ka tentuar të arratiset është Fatmir Pjetri. Ai ka qenë pjesëtar i “bandës së Babagjyshërve”. 33-vjeçari, lindur në Pukë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: