Një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre, ferra e tê mbjella është përfshirë nga flakët pak minuta më parë në lagjen “Uznovë” në Berat. Zjarri ka shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ferra e të mbjella dhe i favorizuar nga era zjarri është përhapur me shpejtësi në drejtim të banesave të lagjes, ku më së shumti jetojnë familjet e komunitetit rom. Mendohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe është vënë fillimisht në përroin e Zagores që për momentin nuk ka ujë dhe është i mbuluar me shkurre.

Më pas, era ka favorizuar flakët dhe i ka përhapur ato drejt tokave me të mbjella e banesave përreth. Kanë qenë banorët e lagjes ata që kanë lajmëruar zjarrfikësen,e cila mbërriti shpejt në vendngjarje.

Efektivët e Repartit të shpëtimit nga zjarri kanë lokalizuar në një kohë të shkurtër flakët dhe kanë mundësuar fikjen e vatrave të zjarrit që po i afroheshin banesave, ndërkohë që banorët kishin dalë të gjithë jashtë nga frika.Burime nga policia e Beratit bëjnë me dije se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarr vënies, ndërkohë që paraprakisht raportohet se janë përfshirë nga flakët rreth 5 ha me shkurre, ferra e të mbjella. Mjaft zjarre janë raportuar si zjarre të qëllimshme e të vendosura nga dora e njeriut gjatë 4-muajve të fundit në qarkun e Beratit, por vetëm disa prej autorëve të këtyre zjarreve janë prangosur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: