Presidenti rus Vladimir Putin ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin kazak Kassym-Yomart Tokayev për situatën në Kazakistan.
Në kumtesën e Kremlinit theksohet se Putin dhe Tokayev shkëmbyen mendime për masat që “ndërmerren për ruajtjen e rendit në Kazakistan”.
Tokayev tha se situata në vend po shkon drejt stabilizimit dhe falënderoi vendet e Organizatës së Traktatit të Përbashkët të Sigurisë (CSTO) për mbështetjen e tyre ndaj Kazakistanit.
Tokayev sugjeroi gjithashtu që krerët e vendeve anëtare të CSTO-së të takohen së shpejti nëpërmjet një videokonference. Putin e mirëpriti propozimin e tij.
Dy liderët ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë.
Tokayev kishte kërkuar më herët ndihmë nga krerët e CSTO-së për situatën aktuale në vendin e tij.
Këshilli i CSTO-së më pas vendosi të dërgojë trupa në Kazakistan më 5 janar.
Organizata e Traktatit për Sigurinë e Përbashkët është një organizatë ndërkombëtare me karakter ushtarako-politik, e themeluar në vitin 1992 nga anëtarë individualë të ish-BRSS-së. Sulmi i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve konsiderohet si sulm ndaj të gjithë anëtarëve. Anëtarët e organizatës janë Rusia, Kazakistani, Taxhikistani, Kirgistani, Bjellorusia dhe Armenia.
Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev ka vendosur të shpallë ditë zie kombëtare më 10 janar. Në vendimin e publikuar në faqen e Zyrës së Presidentit, thuhet se vendi po shpall zi kombëtare.
Protestat në Kazakistan nisën fillimisht në perëndim të vendit më 2 janar për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve dhe më pas u përhapën në zona të tjera. Presidenti Tokayev më pas shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Almaty, qyteti më i madh i vendit, dhe rajonin e pasur me naftë Mangystau, dhe më vonë miratoi dorëheqjen e qeverisë.
Tokayev tha më herët se ai kishte urdhëruar forcat e sigurisë të qëllonin pa paralajmërim mbi njerëzit që ai i quajti “terroristë”, duke i akuzuar ata për vazhdimin e dhunës.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kazakistanit njoftoi të premten se të paktën 18 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 26 demonstrues u vranë gjatë trazirave.
Ministria tha se 4.266 persona janë arrestuar deri më tani, duke përfshirë edhe shtetas të vendeve fqinje.//AA