TIRANË

“Shqipëria është në fillim të një krize të thellë”, kështu deklaraoi në seancë plenare nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi gjatë mocionit me debat në parlament për rritjen e çmimeve, ndërsa theksoi se maxhoranca ka ndërtuar një politikë fiskale në kurriz të shqiptarëve e cila sot po ju kthehet kundër.

“Është në një krizë e cila nuk ka absolutisht asnjë lidhje me luftën, me agresionin rus në Ukrainë, nuk ka asnjë lidhje me dinamikat botërore, por ka lidhje dhe shkak vetëm një dhe një individ, politikat ekonomike që Edi Rama ka ndjekur këto vite. Shqipëria është në fakt në një krizë të thellë ekonomike që i ngjason çdo ditë e më shumë një staglacioni ekonomik.

Qytetarë të nderuar është ajo situatë ku inflacioni në rritje po shoqërohet me rritjen e papunësisë, me rritjen e çmimeve, me një rritje të jashtëzakonshme të varfërisë që kushdo sot e ndjen në xhepat e tyre. Sigurisht që kjo situatë kishte nisur që në fund të vitit të kaluar, pa nisur agresioni rus.”- u shpreh ndër të tjera Tabaku.

Fjala e plotë:

Të nderuar qytetarë që me zi prisni që të dëgjoni se çfarë ka për të thënë ky parlament për rritjen e çmimeve. Të nderuar kolegë, në fakt një thirrje së pari e kam edhe për të gjithë kolegët e mi të Partisë Demokratike, për ata që më njohin dhe ata që më dinë dua të përdor një shprehje Madeleine Albright në fakt: “M’u desh kohë që ta zhvilloja dhe ta ngrija zërin politik, po tani që e ngrita zërin nuk më ndalon askush të flas”.

Në këtë sallë besoj të gjithë e dinë e kuptojnë që unë s’kam nevojë për askënd, për asnjë avokat, për askënd që unë të mbroj të drejtën time për të folur dhe të drejtën time për të folur për qytetarët shqiptarë që sot janë me sy e veshë drejtuar nga salla e Parlamentit për të parë se çfarë do themi ne për hallet dhe problemet e tyre, jo hallet dhe problemet tona. Sot Shqipëria është në një krizë të thellë ekonomike.

Është në një krizë e cila nuk ka absolutisht asnjë lidhje me luftën, me agresionin rus në Ukrainë, nuk ka asnjë lidhje me dinamikat botërore, por ka lidhje dhe shkak vetëm një dhe një individ, politikat ekonomike që Edi Rama ka ndjekur këto vite. Shqipëria është në fakt në një krizë të thellë ekonomike që i ngjason çdo ditë e më shumë një staglacioni ekonomik. Qytetarë të nderuar është ajo situatë ku inflacioni në rritje po shoqërohet me rritjen e papunësisë, me rritjen e çmimeve, me një rritje të jashtëzakonshme të varfërisë që kushdo sot e ndjen në xhepat e tyre. Sigurisht që kjo situatë kishte nisur që në fund të vitit të kaluar, pa nisur agresioni rus.

Që në dhjetorin e vitit të kaluar, qytetarët shqiptarë përjetuan një rritje të jashtëzakonshme çmimesh. Në kohën e krizës së shpallur ekonomike nga qeveria, ne vumë në dukje që menaxhimi më i mirë i kaskadës së hidrocentraleve dhe jo vetëm, do të prodhonte një histori tjetër në Shqipëri dhe në buxhetin e shtetit.

Qeveria vendosi ndryshe në momentin kur duhej shitur energjia, qeveria bleu, në momentin kur duhej blerë, qeveria shiti. Sot kemi një padi në SPAK të dorëzuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për këtë çështje, pikërisht për faktin që qeveria ka luajtur dhe luan çdo ditë me fatet e shqiptarëve, me të ardhurat e shqiptarëve.

Ku qeveria mori një tjetër borxh që e çoi në 100% borxhin si përqindje e produktit të brendshëm bruto, ne përsëri ngritëm zërin, votuam kundër, ne përsëri thamë që qeveria shqiptare duhet të marri masa sepse po vjen një krizë në dyert e Shqipërisë, një krizë që nuk ka lidhje me asnjë dinamikë botërore, por ka lidhje vetëm me vendimet e kësaj qeverie. Kriza ekonomike ka nisur të ndihet shumë herët.

Kjo është reflektuar pikërisht tek fakti që sot një familje shqiptare paguan 42% të ardhura të tyre për ushqime ndërkohë që familje të tjera të ngjashme, në vendet e Ballkanit Perëndimorë paguajnë mesatarisht 30% , në Evropë 12%. 30% e shqiptarëve sot jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, e sigurisht që pengesa më e madhe dhe kriza më e madhe që i ardhur në këto 8 vite buxhetit të Shqipërisë, është kriza që vjen nga koncesionet dhe partneritetet publike private.

Në terma të tjerë, buxheti i shtetit i vendit tonë gjendet përballë një krize jashtëzakonisht të thellë, kriza e korrupsionit është ajo që ka trokitur në derën tonë, jo kriza e luftës, jo kriza e agresionit rus ndaj Ukrainës. Sigurisht që nuk është rastësi që tregu i karburanteve zotërohet sot nga oligarkia. Nuk është rastësi që çmimi i karburantit ngrihet si me buton kur do qeveria, dhe ulet me buton kur do qeveria.

Nuk bën habi që kryeministri hesht dhe nuk flet asnjë fjalë për këtë monopol, ndërkohë që autoriteti i Konkurrencës sot ka mbyllur sytë, ka mbyllur veshët dhe nuk ka marrë absolutisht asnjë vendim. Kush janë arsyet që çmimi me pothuajse 230 lekë për litër, që ndryshon më shumë, rritet më shpejt se çmimi në bursë? Arsyeja e parë janë taksat e vendosura. Që nga viti 2014 e deri më sot, kemi thënë që si rezultat i rritjes së taksave, 60% e tyre 1200 lekë, 120 lekë në çdo litër karburant sot janë taksa.

Janë 7 taksa dhe tarifa të vendosura dhe të rritura në mënyrë abuzive edhe në dhjetorin e vitit të kaluar u rrit akciza duke u indeksuar me inflacionin. Në të gjithë botën sot po merren masa duke u ulur taksat, sepse është një periudhë e jashtëzakonshme, ndërkohë që në Shqipëri sot bën lajm që prej çmimeve të rritura, buxheti i shtetit mbledh më shumë të ardhura.

Në këtë situatë krize, ku të gjitha familjet po vuajnë, ku studentët po vuajnë, ku sot bizneset po mbyllen masivisht ka një dhe vetëm një përfitues që është qeveria sepse po mbledh më shumë të ardhura nga rritja e çmimeve, po mbledh më shumë para në buxhetin e shtetit nga TVSH-ja, nga akciza, nga taksa e qarkullimit, nga çdo taksë tjetër.
Sot qeveria shqiptare është shumë komode.
Çfarë kemi kërkuar ne?!
Atë që po zbatohet në çdo vend tjetër; jo vetëm në Bashkimin Europian por edhe të Rajonit: një reduktim dhe një ulje e taksave, duke pasur parasysh që kjo ngarkesë fiskale e vendosur mbi biznesin dhe mbi familjet sot ka prodhuar këtë krizë.
Sot, kemi absolutisht çmimet më të shtrenjta të gjithë produkteve.
Te produktet e shportës, çmimet janë rritur mesatarisht 7%. Produkte të veçanta ushqimore, jetike, bazë sot janë rritur 20%. Ndërkohë që ka produkte që janë rritur në 30-40%.
Sot ndodhemi në një kolaps të jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh që kjo rritje çmimesh po shkon vetëm në një shtresë të caktuar të shoqërisë, që është shtresa më e varfër, që fatkeqësisht sot përbën 95% të shqiptarëve dhe kjo shoqëruar me pagat më të ulëta në Europë dhe vetëm me një përjashtim që është rasti i Kosovës, kjo shkakton krizën më të madhe ekonomike e cila vjen si rezultat i vendimeve të qeverisë.
Në këtë kushte cilat janë zgjidhjet e qeverisë?
Krijimi i një bordi allakomunist që vendos me sustë se çfarë do të ndodhë në treg.
Krijimi i mekanizmave që nuk e ndihmojnë tregun.
Turrja e ministrave dhe ministreshave sa herë që ka nevojë në markete e supermarkete, si një mjet propagande pa zgjidhur asgjë sepse sa herë që dalin këta, tregu vepron në mënyrë të kundërt. Tregu vepron në mënyrë të kundërt në fakt, ashtu siç ka vepruar sa herë që këta marrin aksione, tregu reagon ndryshe.
Morën aksionin antiinformalitetit. Tregu rriti informalitetin.
Morën kontrollin e karburanteve. U rrit çmimi i karburanteve dhe informaliteti në tregun e karburanteve.
Çdo aksion që këto kanë ndërmarrë ka operuar në të kundërt sepse këto kanë qenë politika që këto kanë zbatuar, duke mos pasur interesin e qytetarit në qendër, interesin e shtetit dhe atyre që kanë rrotull shtetin.
Bordi i ushqimit dhe inspektimit të kryeministrit, sigurisht që ishin vendime qesharake dhe populiste që nuk iu japin zgjidhje situatës.
Një qeveri e përgjegjshme do të kishte ardhur menjëherë këtu në Parlament me një seri veprimesh.

Duke ndryshuar menjëherë taksat që prekin ;
1. TVSH-në e shportës
2. Taksën e qarkullimit për karburantet
Dhe duke dhënë të gjithë të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit që vijnë nga rritja e çmimeve, por njëkohësisht dhe nga pezullimi i konçesioneve korruptive në mbështetje të të gjithë shtresave në nevojë.

Një maxhorancë dhe një qeveri e përgjegjshme do të ndërhynte njëkohësisht edhe në të ardhurat dhe taksat personale duke mbështetur shtresën e mesme që sot po e vuan më shumë krizën ekonomike. Vende të ndryshme të BE-së kanë përdorur mekanizma si ai që ne kemi propozuar në shtator të vitit të kaluar për TVSH-në e shportës të cilën e refuzuat dhe e votuat kundër.

Një qeveri e përgjegjshme që do të ishte sot përpara këtij Kuvendi duke ofruar një buxhet të riparë në ndihmë dhe mbështetje të qytetarëve, një buxhet që i shërben ekonomisë dhe jo një buxhet që i shërben këtyre që sot fatkeqësisht na qeverisin.

Çfarë i duhet shqiptarëve që të paguajnë edhe 100 milionë Euro të tjera për inceneratorët kur sot masivisht qytetarët shqiptarë janë në kulmin e mbijetesës, janë në zgrip të mbijetesës, janë në minimumin e shpenzimeve të tyre ku sistemi bankar raporton që kursimet që vijnë nga individët pothuajse janë zero, që sot funksionon ekonomia vetëm për 5 biznese nga 12 që funksiononte në vitin 2014 kur filluat politikat tuaja të para fiskale.

Unë besoj se sot kostot e jetesës në Shqipëri janë rritur vetëm si rezultat i politikave që kjo qeveri ka ndërmarrë.

Nuk më duket e rastësishme, por më duket e qëllimtë marrja e një politike fiskale, e rritjes së taksave për të goditur punën. Sepse sot në Shqipëri nuk vlerësohet puna, sot goditet puna.

Për këtë arsye sot qytetarët kanë mbushur sheshet. Për këtë arsye sot protestat janë nga studentët deri tek bizneset, tek pensionistët të cilët provojnë çdo ditë transportin publik.

Për këtë arsye sot, çdo i djathtë, e më shumë i majtë, proteston, sepse Edi Rama nuk ndryshon.

Edi Rama sapo merr pushtetin, rrit taksat.

Edi Rama sapo merr pushtetin, abuzon.

Edi Rama, e ka provuar nga 2013-a e deri më sot. Fatkeqësia më e madhe është se niveli i varfërisë është në atë nivel aq të lartë sa me një thes miell e me 50 mijë lek, njerëzit, qytetarët harrojnë atë që kalojnë në katër vite.

Shpresoj shumë që kjo krizë që ka vetëm një shkaktar t’i hapë sytë shqiptarëve dhe me Rezolutën që ne do të prezantojmë në fund të këtij mocioni të kemi mbështetjen e të gjitha kaheve të politikës.

Pavarësisht të djathtë apo të majtë, ne votohemi nga njerëz që sot janë duke mbijetuar vetëm si rezultat i vendimeve që ky Parlament noter ka marrë.

Falemnderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb