Italia jashtë Botërorit për të dytin edicion radhazi nuk kishte ndodhur asnjëherë dhe tifozët italianë nuk ia falin këtë as Roberto Mançinit, i cili u dhuroi një Kampionat Europian që pakkush e priste. Në rrjetet sociale ka shpërthyer revolta popullore e atyre që kërkojnë largimin e Mançinit dhe opinionistët në studiot televizive italiane kanë lënë të kuptohet se ishte koha që të ndryshohej diçka në ekip.

Por presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina, ka bërë të ditur se për momentin trajneri nuk vihet në diskutim, pavarësisht kritikave e këtij eliminimi. “Projekti ecën përpara. E kuptoj, do të ketë ditë ku do të mundohen në çdo mënyrë që të na destabilizojnë. Kritikat bëjnë pjesë në anën tjetër të medaljes. Siç gëzuam këtë verë, tani jam gati të marr shumë kritika. Nuk ka rrugë shpëtimi në botën federale, unë duhet të vazhdoj të mbroj këtë kombëtare, këta djem dhe këtë trajner. Vazhdohet me kokën lart, të ndërgjegjshëm që kur nuk fitohet, është bërë ndonjë gabim.

Unë uroj që Mançini të vazhdojë me ne. Ka një përkushtim sa i përket projektit, uroj që të lërë pas gjërat e këqija të këtij eliminimi, ashtu si të gjithë italianët dhe që të qëndrojë në drejtimin e kombëtares për të vazhduar punën tonë. Unë për vete kam ende shumë energji”, ishin fjalët e Gravinës.

PANORAMASPORT.AL