Ish-deputeti i PS, Ervin Bushati, kritikoi të gjitha partitë politike të pas viteve 1990, teksa komentoi në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, për shpopullimin e Shqipërisë.

Ish-deputeti tha se asnjë parti politike nuk e ka pasur shpopullimin në program, ndërsa shtoi se politika duhet të ndërgjegjësohet dhe ta shohë të vërtetën në sy.

“Shteti shqiptar ka qenë i pafuqishëm ta ndalojë emigracionin pas viteve 1990. Shqipëria ka një histori të dhimbshme, dhe të gjithë kemi brenda familjes të larguar. Shteti dhe politika nuk kanë ditur ta frenojnë dot, kjo duhet pranuar. Për sa kohë politika nuk e vendos në problematikën kryesore, ne sot jemi para faktit që vetë partitë politike nuk e kanë në program këtë sfidën e popullatës, po të ketë një ministri të caktuar që të fillojë të punojë për këtë fenomen. Deri më sot, nuk e kemi në ndonjë program partish politike. Sot, në këtë darë që po mbyllet, nga njëra anë lindjet e ulëta dhe nga ana tjetër emigracioni, do vazhdojë për shumë kohë të ketë kërkesë për largime, sidomos nga vendet e Ballkanit. Të gjithë këto vende kanë rrjedhje drejt vendeve të Evropës. Po shohim që doktorët tanë po ikin direkt në Gjermani. Ne duhet të ndërgjegjësohemi për gjendjen ku jemi, ta quajmë prioritare, të shohim të vërtetën në sy, dhe sa më mirë ta kemi arsimin, aq më pak studentë shqiptarë do kërkojnë të punësohen jashtë vendit”, tha ish-deputeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb