Emisioni investigativ Vetting

Shpresa për një jetë më të mirë
Një tjetër problem që vihet re në Has është emigrimi i të rinjve, të cilët po largohen për të kërkuar një mundësi më të mirë për jetën. E moshuara tregon për djalin e saj që ka emigruar, por që për fat të keq ka hasur po të njëjtën mungesë mundësish edhe atje. Sipas të moshuarës djali i saj është larguar në emigracion me gomone, duke synuar një jetë më të mirë, por ka përfunduar në një situatë që nuk ka mundur ta mbajë dot veten.

“Kam një djalë në emigracion, ka shkuar me gomone, nuk i ka ecur për vete jo për mua. Nuk ka punë atje, i kam thënë të kthehet tek ne në Has”, shprehet e moshuara.

 

Në një qytet ku edhe pensionistët jetojnë me 6 mijë lekë dhe ku ushqimet blihen vetëm me borxhe, është e qartë se Hasi është një qytet në krizë dhe një pasqyrë e hidhur e atyre që po përballen me varfërinë ekstreme.

“Problemi ynë kryesor është mungesa e një shtëpie, janë tre fëmijë, djali pa punë, marr 60 mijë lekë të vjetra pension, me ato jetojmë si familje që jemi këtu. Jetojmë me qira, bëjmë sakrifica për të paguar qiranë, të marrësh borxh por nuk të jep askush borxh.”

“Ushqimet, po me lista i marr, fëmijët duan të hanë bukë.”

Ndërsa djali i kësaj familje, babai i tre fëmijëve thotë se është pa punë prej shumë kohësh pavarësisht përpjekjeve duke kërkuar në vende të ndryshme nuk ka arritur të sigurojë një vend pune që të ndihmojë familjen e tij.

“Vetë jam i papunë, gruaja pa punë, nënë me 60 mijë lekë pension, më ka dhënë ndihma bashkia, faleminderit bashkisë. Vetë qëndroj gjithë ditën pa punë, vij vërdallë, dua të kem një punë, puna e mbanë njeriu gjallë”.

“Kam kërkuar punë nëpër firma private por nuk ka punë”.

“Kam tre fëmijë të vegjël të katërtin e pres”.

Sipas të dhënave nga EUROSTAT, shqiptarët janë ndër më të varfrit në Europë duke iu referuar të ardhurave për frymë dhe konsumit të ulët. Por kur vjen puna te çmimet e ushqimeve i kemi më të lartat në rajon duke ua kaluar edhe disa vendeve të Bashkimit Europian. Madje edhe me të shtrenjta se vetë Kosova dhe për këtë arsye kush është në kufi shfrytëzon rastin për të kaluar kufirin dhe për të mbushur frigoriferin.

Majlinda Kastrati tregon se ushqimet ia kanë blerë të afërmit në Kosovë sepse atje janë me çmime më të lira, të zhytur në borxhe dhe me ndihmën ekonomike që marrin nga bashkia, ata luftojnë të mbijetojnë.

“Ushqimet mi ka blerë baxhanaku në Kosovë, se janë pak më lirë atje por akoma nuk i kemi paguar, miellin e kemi blerë me borxhe, ndërsa ushqimet me borxhe tek Faslli Kastrati, shtëpia me qira 120 mijë lekë, pa llogaritur dritat dhe ujin, nuk kemi asnjë lloj kushti, problem për ne ka qenë gjithmonë shtëpia”.

Një varfëri që ulërin nga çdo orendi e kësaj banese…

“Bukën e pjek tek kjo soba e prishur, shikoje si është hapur lart. Nuk kam mundësi për të blerë tjetër, pjek shumë avash, kam shumë vite me këtë sobën”.

Sipas gjendjes civile, në total popullsia e Bashkisë Has e regjistruar është 23 mijë banorë. Emigracioni në këtë zonë është shumë i theksuar, nuk gjen një familje që të mos ketë emigrant, në disa raste 80% e anëtarëve të familjes kanë ikur në emigrim. Për “Vetting”, kryetari i Bashkisë së Hasit, Miftar Dauti sqaron se emigracioni po e dëmton atë vend.

“Ne jemi një bashki ku fenomeni i emigracionit është shumë i theksuar, sepse në përgjithësi njerëzit tanë kanë emigruar në Britaninë e Madhe, por emigracioni ka filluar më herët, me Greqinë, Italinë, Gjermani, me këto vendet më afër Hungarinë, Rumaninë, d.m.th. është i shpërndarë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, dhe sot mund të them me siguri se nuk ka familje që të mos kenë një përfaqësues të tyre në Britaninë e Madhe”.

Mundësitë e punësimit në këtë qytet janë të pakta, pasi nuk ka kompani private, por edhe minierat e hekurit, nikelit, kromit dhe bakrit nuk funksionojnë, gjë e cila kontribuonte në ekonominë e hasjanëve. Bizneset e vogla që shikon në qytet janë vetëpunësime për mbijetesë, nuk kanë mundësi të ofrojnë vende pune.

“Mundësitë e punësimit në Has janë të vogla sepse ne nuk kemi ndonjë kompani, ne me të vërtetë jemi zonë minerare por vlen shumë për të dëshiruar sepse ka hekur, nikel, krom dhe bakër. Me Hekur-nikeli dhe bakrin pothuajse nuk është marrë askush me të, kromi është keqpërdorur, është keqpërdorur sepse kanë ardhur disa kompani dhe sipas meje dhe atë që kam parë janë bërë vetëm shitblerje letrash nuk është bërë punë. Kemi patur një fabrikë kromi ku kanë qenë të punësuar 20 vetë, është mbyllur fabrika, janë kufizuar pjesa e minierës, dhe çdo ditë e më shumë numri i të punësuarve ka ardhur duke u ulur.

Në të njëjtën kohë duke qenë se fenomeni i emigracionit është shumë i madh, biznesi i vogël këtu aq është. Ai që mund të vetëpunësohet është mbijetesë.”

Çdo vit në Shqipëri, mesatarisht lindja e fëmijëve është 3% më pak se vitet paraardhëse, duke shënuar shifra alarmante për të ardhmen e vendit. Për shkak të këtyre lindjeve ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve në disa shkolla, të cilat rrezikojnë të mbyllen, ndërsa në disa shkolla mësimi zhvillohet në klasa kolektive.

“Numri i lindjeve është shumë i ulët, unë e parandiej që shumë shkolla do të vijnë drejtë mbylljes sidomos shkollat e fshatrave shumë të thella të bashkisë. Kanë filluar që të jenë klasa kolektive, ka klasa që nuk parashikohet të fillojë klasa e parë për efekt të fëmijëve që nuk janë, është fenomen i dhimbshëm por është evident në Bashkinë tonë si në Bashki të tjera është ky fenomen”.

Drejtoresha e Arsimit në Bashkinë Has, Mirela Lleshi tregon se numri i nxënësve ka rënë, dy shkolla janë mbyllur për shkak se njerëzit kanë ikur në emigracion.

Gjithçka sipas saj, ndodh për shkak të emigrimit të shumë familjeve nga Hasi. Problemi i emigracionit është një problem që në Shqipëri ka vite që vazhdon dhe Hasi nuk mund ti shpëtonte një fenomeni të tillë, shprehet Mirela Lleshi.

Shkollat tona kanë qenë me një numër më të madh nxënësish n.q.s do të shohim marzhin e ndryshimit që nga vitin 2019 e në vazhdim ka një rënie të numrit të nxënësve. Në shtatorin e vitit 2019 kishim 2070 nxënës në arsimin 9-vjeçar, 699 nxënës në arsimin e mesëm dhe 571 nxënës në kopshte. Përsa i përket numrit të shkollave që janë mbyllur plotësisht, kemi vetëm dy shkolla, shkolla “Dome”, dhe “Kishaj”. Ndërsa disa shkolla të tjera në fshatra kanë kaluar në shkolla vartëse dhe qendër, mund të përmendim këtu që në shkollën “Letaj” kemi vartëse shkollën “Beraj”, që është një fshat i largët me “Bajram Currin”, ka kaluar shkolla e “Gjinajve” në varësi të shkollës “Metaliaj” dhe në shkollën “Helshan” dhe “Kostor” janë të bashkuara, ndërsa të gjitha shkollat e tjera vazhdojnë që të jenë shkolla qendër”.

Në të gjithë Shqipërinë gjatë 5 viteve të fundit janë regjistruar 3658 lindje më pak. Po të krahasojmë me numrin e vdekjeve por edhe të rritjes së moshës, numri i lindjeve është shumë i vogël. Një tregues tjetër është fakti që popullsia në vendin tonë po pëson një plakje, pasi numri i personave me moshë të madhe ka ardhur në rritje.

Edhe pse Hasi paraqitet i varfër dhe me gjithë këto probleme, ka një peizazh malor me një faunë të pasur. Kullat e Hasit janë një ndër elementet arkitektonikë që karakterizojnë rajonin dhe janë  një shembull i traditës së ndërtimit të kullave të fortifikuara të cilat shërbenin për mbrojtjen e pas Luftës së Parë Botërore.

Hasi ka pasur një traditë të fortë bujqësore, por për shkak të migrimit të brendshëm por edhe të jashtëm, tradita e bujqësisë është zbehur duke ngelur më së shumti me toka djerr. Prodhimet bujqësore më së shumti i blejnë në Gjakovë sepse i gjejnë me kosto më të lirë se në zonën e tyre.

Shqipëria po kthehet në një parajsë të braktisur. Prej politikës, varfërisë dhe sistemit shumë pak ose aspak social, popullsia po zhvendoset dhe po deformohet jeta sociale e qyteteve të vogla.

Të rinj shqiptarë të moshës nën 35-vjeç shtyhen të marrin valixhet të lënë pas nënën dhe babanë për një jetë më të mirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb