“Shoqëritë e emancipuara që përnjëmend kërkojnë ta njohin historinë e tyre, nuk i tremben fantazmave të së shkuarës, por me kurajo vendosin të përballen me to”.

Kështu deklaron deputeti i PD Enkelejd Alibeaj duke iu referuar projektligjit të dorëzuar nga deputetët e PD në Kuvend.

Ai thotë se duhet t’i jepet fund njëherë e mirë përpjekjeve politike për të falsifikuar historinë e regjimit komunist dhe përpjekjeve për ta propaganduar këtë të keqe kombëtare dhe se me këtë ligj shlyejmë borxhin ndaj së shkuarës dhe përmbushim detyrimin ndaj së ardhmes!

“Ndaj pranimi me vetëdije i së vërtetës historike të regjimit totalitar komunist, si dhe realizimi i paqes sociale, me përgjegjësinë që në të ardhmen të ndërtohet një shtet i së drejtës, demokratik e social, që mban në themel mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor është qasja e duhur ndaj harresës së imponuar!

Duhet ti jepet fund njëherë e mirë përpjekjeve politike për të falsifikuar historinë e regjimit komunist dhe përpjekjeve për ta propaganduar këtë të keqe kombëtare.

Fatkeqësi dhe turp, që ende sot në ceremoni publike, edhe zyrtare, individë të caktuar, përfshirë edhe funksionarë të lartë shtetërorë, ekspozojnë simbole të regjimit komunist, duke krijuar vuajtje dhe dhimbje tek ajo pjesë e shoqërisë që humbi familjarët, të afërmit dhe miqtë, por edhe rininë e ndoshta pjesën më të madhe të jetës në burgjet dhe kampet komuniste.

Mospranimi i kësaj të vërtete, mospërballja e saj me kurajo dhe guxim, dhe mungesa e hapave të nevojshëm ligjorë kanë qenë pengesa reale 31 vjeçare në emancipimin e shoqërisë dhe profilizimin europian të shtetit shqiptar.

Me ofrimin e projektligjit për shpalljen muze kombëtar të Kampit të Punës së Spaçit dhe Kampit të Internimit të Tepelenës, projektligjin për hapjen e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, dekomunistizimin e shoqërisë e shtetit, dhe me një proces lustrimi të plotë, të sinqertë, sipas standardeve dhe nevojës së brendshme, shlyejmë borxhin ndaj së shkuarës dhe përmbushim detyrimin ndaj së ardhmes!”, deklaron Alibeaj.

Alibeaj Fb
Alibeaj Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: