Gabriel Escobar, zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor komentoi tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, takimin e radhës në Bruksel e quajti çelësin e suksesit për të ardhmen ndërsa për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se nuk duhet të krijohet një shtet brenda shtetit.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë virtuale me gazetarët e rajonit, komentoi situatën në veri të Kosovës pas vendimit te qeverisë Kurti për të shtyrë reciprocitetin me 30 ditë. Shtyrjen për zbatimin e vendimit për targat dhe letërnjoftimet i quajti një mundësi për te gjetur zgjidhje te qëndrueshme dhe afatgjatë, ndërsa takimin qe pritet me 18 gusht në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë e konsideroi si çelësin e suksesit për te ardhmen.

“Nuk është vetëm çështje e shtyrës së vendimeve për reciprocitetin, është një mundësi për një zgjidhje të qëndrueshme që do kontribuojë në stabilitetin e rajonit, është e vërtetë që marrëveshja deri tani ishte e përkohshme dhe kërkonte që Serbia t’i jepte një zgjidhje afatgjatë.  Ne ende shpresojmë se ajo do e beje këtë, por në të njëjtën kohë në shpresojmë që përmes dialogut Kosova dhe Serbia do te krijojë disa marrëdhënie me të mira, për të drejtën e lëvizjes, apo për integrimin në Bashkimin Europian. Ky muaj do jetë një mundësi e mirë për të ecur para me dialogun, nuk ka të bëje vetëm me targat. Kosova është Europiane, aspirata e saj është të anëtarësohet në BE. Unë i bej thirrje Serbisë dhe Kosovës,  të jenë konstruktive në dialog. Dialogu është çelësi për të ardhmen, jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë”, -tha gjatë konferencës në platformën Zoom Gabriel Escobar, zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Gabriel Escobar tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit të komunave me shumice serbe, por zbatimi i marrëveshjes nuk duhet te bjerë ndesh me ligjet e shtetit të Kosovës.

“Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit. Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës”, -tha gjatë konferencës virtuale Gabriel Escobar, zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Zyrtari i lartë amerikan tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.

Edhe pse ishte një konferencë me fokus Kosovën dhe Serbinë, në fund  diplomati amerikan u zotua se do mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ne zbatimin e reformave që do të përshpejtonin rrugën drejt BE-së.

“Ne përgëzojmë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapin e rëndësishëm që kanë bërë dhe duam t’i bëjmë të ditur popullit shqiptare dhe maqedonas se do të mbështesim përpjekjet e tyre ne kryerjen e reforma dhe për të ecur me shpejtësi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, -tha gjatë konferencës Escobar.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin çdo qeveri që përqafon vlerat e Bashkimit Evropian dhe është e përkushtuar ndaj NATO-s.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb