Tajvani ka kryer stërvitje ushtarake më 11 gusht, një ditë pasi Kina fqinje përfundoi stërvitjet e shkallës së gjerë në Ngushticën e Tajvanit.

Në stërvitjet ushtarake të Tajvanit, që zgjatën pothuajse një orë, u përfshin qindra trupa dhe artileri. Këto stërvitje u mbajtën në pjesën jugore të ishullit. Stërvitje të ngjashme Tajvani kishte mbajtur në zonën e njëjtë edhe më 9 gusht.

Ushtria e Tajvanit tha se të dy stërvitjet ishin planifikuar më herët dhe nuk u mbajtën në përgjigje të veprimeve të Pekinit. Tensionet në këtë zonë janë rritur pasi javën e kaluar kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelsoi, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan, vizitoi Tajvanin.

Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që ka vizituar ishullin e Tajvanit në dekada. Kina pretendon se Tajvani është provincë e saj dhe refuzon që të përjashtojë mundësinë e përdorimit të forcës për të rimarrë kontrollin e ishullit.

Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940. Raportet mes Pekinit dhe Taipeit janë përkeqësuar veçmas që nga viti 2016, kur Tsai Ing-wen u bë presidente e Tajvanit me platformën që nuk njeh pretendimet e Pekinit mbi këtë ishull vetëqeverisës./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: