Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali ka folur për lirinë e medias dhe presionin e pushtetit ndaj saj. Në një intervistë për “Panorama TV”, Cukali tha se kryeministri Edi Rama përdor strategji perverse për të goditur mediat.

Për këtë, Cukali sjell në vëmendje infrastrukturën e ngritur nga kreu i qeverisë me “ERTV” dhe aktivitetet që i pasqyron vetë në rrjetet sociale, duke mos i dhënë mundësinë gazetarëve që t’i ndjekin nga afër.

Sipas Cukalit, të gjitha presionet ndaj medias përmes diktimit të përmbajtjes së saj, por edhe presionet në format e tjera, do të sjellin pasoja afatgjata për Shqipërinë.

“Fakti që je i lirë të thuash një koment mbi qeverinë në rrjete sociale, nuk do të thotë që kemi liri informacioni. Liria e informacionit, që do të thotë raportim apo investigim. A janë të lirë gazetarët që të shkojnë dhe të raportojnë tek aktiviteti që bën kryeministri? Jo, sepse nuk e dinë ku është kryeministri.
E shara në rrjete sociale janë thjesht muhabet. Publiku ka nevojë për informacion, s’ka nevojë për debate dhe emisione politike. Publiku do të informohet. A ka liri informimi në Shqipëri? Përgjigja ime është jo. Para dy ditësh po shihja një vlerësim të demokracive në gjithë botës nga një institut suedez. Shqipëria, rreshtohej në vendet autoritare. Demokraci autoritare. Praktikisht, autoritarizëm i votuar. Ky është realiteti i Shqipërisë dhe media operon brenda këtij realiteti.
Dukshëm, tendenca e kryeministrit dhe kryebashkiakut, është ose ta godasin median, ose tentojnë ta blejnë. Blerja ndonjëherë nuk funksionon dhe zgjedhin metodën tjetër që ta godasin. Në të gjitha këto, ne shohim shumë pak shenja të një shoqërie demokratike. Nëse këto ndodhin, kjo nuk është një shoqëri e shëndetshme”, tha Cukali.

I pyetur nëse është shqetësuese gjuha e përdorur nga kryeministri Rama ndaj mediave, ai theksoi se gjuha është pjesë e strategjisë.

“Është e qartë, janë metoda të shpikura edhe më parë. Në botën modern, Trump ishte rasti specifik ku godiste mediat. Është një strategji e njohur. Nëse ti përmend gjithmonë kazan, në kokën tënde fillon tingëllon kjo fjalë. Ti një mesazh e përsërit non-stop. Ky mesazh ngulitet në kokat e njerëzve. Një pjesë e lartë e njerëzve, për fatin e keq janë të keqarsimuar, dhe ky mesazh iu ngulitet shumë keq në kokë. Rama jep një mesazh që publiku nuk duhet të ndjekë mediat, por duhet të më dëgjojnë mua.
Është një strategji perverse, tmerrësisht e dëmshme për Shqipërinë. Të shohim çfarë do ndodhë pas Ramës. Dëmi që do i bëhet Shqipërisë pas Ramës, është e tmerrshme. Është një shoqëri që nuk do e marrë dot veten kurrë. Do shumë vite të pastrohet”, tha ai.

Sipas tij, Ramës nuk i interesojnë mediat, por raporti që mund të krijojë me pronarin.

I ndalur tek rasti i shembjes se “Prestige Resort”, ku trajtohet specifikisht edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Cukali tha se pushteti shantazhon dhe godet mediat.

Sipas tij, marrëdhëniet e kryeministrit më pronarin e një medie nuk e ka shpikur Rama, por ky e ka përsosur në mënyrën më të sëmurë.

“Unë do ndalesha tek një pikë që mua më prek, që e kam më në qendër të vëmendjes se të tjerat, që është çështja e financimit të medias.
Problemi i vërtetë me situatën mediatike, nuk është se filluan me marrëdhëniet që krijuan pronarët me qeverinë.
Kryeministrit nuk i interesojnë mediat, ai e ka lidhjen me pronarin. O të do o nuk të do. Kështu e kupton ai median, unë do të bëj favore, ti do bësh këtë gjë. Kjo kthehet në një shtrëngim dore pastaj. Nëse vijmë tek shtrëngimi i dorës, nëse e keni parë filmin Skënderbeu, jo për ta grandizuar kryeministrin, ai është në pozitat e Skënderbeut, që do të thotë dikton ai lojën. Po u fut një media për të shtrënguar dorën me kryeministrin, që unë të godas, po do më japësh këtë, kryeministri fiton sepse ka instrumente të fortë”, tha Cukali.

Ai theksoi se kupola funksionon me këtë mentalitet, të asgjësojmë të vërtetën.

“Marrëdhënien e kryeministrit me pronarët nuk e ka shpikur Rama, por ai e përsosi atë marrëdhënie të sëmurë.
Ajo ndodhi në momentin që teknologjikisht mediat ndryshuan, dalja e mediave të reja, zhdukja e printit, televizionet që nuk janë thjesht televizion, por janë televizione plus rrjetet sociale dhe fakti që në Shqipëri e duan lajmin falas kjo shkaktoi situatën tjetër që mediat duhet të financohen.
Nëse dikur paguaje gazetën, ti paguaje për lajmin në fakt. Sot askush nuk do të paguajë për informacionin. Të gjithë mendojnë se është falas, por nuk është falas. Nëse nuk e paguan ti, e paguan ai politikani, ai biznesmeni, ai krimineli. Pra informacioni paguhet. Nga duhet të vijnë këto financime? Mënyra më e drejtë do të ishte përmes publikut.
Ju e ndjeni edhe vetë se në momentin që bëhesh armik me kryeministrin, të ikin reklamat, biznesi trembet. Kjo është mënyra si pushteti shantazhon, si pushteti godet, (për tu kthyer tek rasti juaj), godet mënyrën si mund të financohet një media.
Kur themi që kryeministri apo ministrat bëjnë presion, kupola funksionon me këtë mentalitet, të asgjësojmë të vërtetën.
Në pamundësi për të ofruar një qeverisje të mirë, ti duhet të ofrosh një imazh tjetër, ti duhet të gënjesh që kemi një qeverisje të mirë”, tha Cukali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb