TIRANE – Mungesa e njërit prej anëtarëve të trupës gjykuese ka bërë që të shtyhet seanca gjyqësore, ndaj të akuzuarve për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri. Ndërsa sot pritej vendimi për 9 të akuzuarit, njëri prej anëtarëve të trupës gjykuese ka munguar për arsye shëndetësore.

Pak ditë më parë, prokurorja e çështjes, Elisabeta Ymeraj renditi të gjitha provat dhe faktet e fajësisë ndaj të pandehurve, dhe kërkoi dënimin me 152 vite burg në total.
Genci Abdurrahim Balla, i vetëshpallur imam i xhamisë së Unazës së Re, Gert Pashja dhe Bujar Hysa, edhe ky i vetëshpallur imam i xhamisë së Mëzezit, rrezikojnë dënimin me nga 20 vite burg secili.

Sipas prokurorisë, këta të pandehur janë organizatorë të rrjetit të rekrutimit të luftëtarëve shqiptarë, të cilët në vendin e shkatërruar nga lufta, u janë bashkuar dhe luftojnë për llogari të organizatave terroriste si “Al-Nusra”.

Për të pandehurin Zeqir Ymeri, prokuroria kërkoi dënimin me 17 vite burg. Ndërsa, Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Muslimani, Astrit Tola dhe Orion Reçi rrezikojnë dënimin me nga 15 vite burg. Sipas prokurorisë, këta të pandehur kanë luajtur rolin e financuesit apo ndihmësit në grup.

Rolet e të pandehurve
Sipas prokurorisë, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin por edhe me persona të tjerë, duke shfrytëzuar bindjet fetare ekstreme të personave të ndryshëm, kanë mundur të rekrutojnë disa prej tyre dhe t’i dërgojnë në Siri, me qëllim që këta të fundit të marrin pjesë në grupime të cilat janë shpallur nga lista e OKB-së si grupime terroriste.

Për ta realizuar një gjë të tillë, të pandehurit kanë shfrytëzuar bindjet fetare të personave, dhe konkretisht kanë shfrytëzuar besimin fetar mysliman. Në dosjen e prokurorisë thuhet se, i pandehuri Genci Balla ushtronte veprimtarinë si imam në xhaminë e ndodhur tek Unaza e Re në Tiranë, ndërsa i pandehuri Bujar Hysa e ushtronte veprimtarinë e tij në xhaminë e ndodhur në Mëzez, Tiranë. As Balla dhe as Hysa, si dhe xhamitë ku ata ushtronin veprimtarinë e tyre si imamë, nuk ishin të miratuar në mënyrë të rregullt si të tillë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Gjatë predikimeve të mbajtura, i pandehuri Genci Balla tejçonte te personat e pranishëm, sidomos në faljet e ditës së premte, bindje dhe ide të cilat iu mbushnin mendjen personave që lufta që bëhej në Siri ishte një kauzë e drejtë, bëhej në emër të Allahut dhe secili mysliman i devotshëm e ka për detyrë të ndihmojë në këtë luftë.

Po të njëjtën mënyrë ka përdorur edhe i pandehuri Bujar Hysa, me predikimet e bëra prej tij, në xhaminë e Mëzezit apo edhe në xhami të tjera. Prokuroria thekson, se Genci Balla ishte organizatori i veprimtarisë kriminale. Ai përfaqëson një ndër teologët më radikalë, që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda komunitetit mysliman si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri.

Ky i pandehur, prej disa vitesh ushtron aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar/ligjëruar nga institucioni fetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. I pandehuri Bujar Hysa është ndjekës i ideologjisë radikale tekfiriste të Genci Ballës. Konkretisht, ky shtetas implikohet në veprimtarinë kriminale, nga hetimet që janë zhvilluar ndaj tij prej datës 20.12.2013 e në vazhdim.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb