TIRANE- Duke kaluar në qiellin shqiptar për në Sri Lanka dhe Filipine Papa Francesku i shkruan Presidentit Bujar Nishani një telegram ku edhe një herë “siguron lutjet për popullin dhe kombin shqiptar”. Eshtë bërë traditë tashmë që Papa Francesku të dërgojë telegrame përshëndetëse për të gjithë krerët e shteteve, në qiejt e të cilëve kalon avioni papnor, duke mos bërë përjashtim as Shqipëria.

Lajmi u bë i ditur nga Vatikani, që ka publikuar edhe telegramin drejtuar Presidentit Bujar Nishani:

“Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë. Përshëndes përzemërsisht Shkëlqesinë Tuaj, ndërsa fluturoj mbi Shqipëri në udhën drejt Sri Lankës dhe Filipineve. Duke kujtuar ngrohtësisht vizitën time në vendin tuaj, ju siguroj rishtas lutjen time për kombin dhe popullin. Franciscus PP,” – thuhet në telegram.

Papa ka dërguar kështu telegrame për liderët e Shqipërisë, Greqisë, Turqisë, Iranit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltanatit të Omanit dhe Indisë.

Vizita e Papës në Azi nga 12 deri në 19 janar përbën shtegtimin e shtatë apostolik të Papës Françesku, të dytin në Azi, pas atij të verës në Republikën e Koresë.

(ar.sh/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: