TIRANË-Qindra besimtarë ortodoksë kanë kremtuar sonte, deri pas mesnate festën e Pashkës në katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’, në Tiranë. Në ceremoninë e kremtimit të Pashkës besimtarët kanë uruar më shumë shpresë për të nesërmen.
Qindra besimtarë nga Tirana, por të ardhur dhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë kanë uruar njeri-tjetrin, ndërsa kanë ndjekur meshën me qirinj të ndezur.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, imzot Anastas ka dërguar një mesazh për gjithë besimtarët me rastin e Pashkës, ku shprehet se kjo ditë është simboli i daljes dhe shpëtimit nga dëshpirimi dhe ndihmë për të njohur personalisht Zotin e Ngjallur.
Pashka cilësohet si një nga festat më të rëndësishme për besimtarët ortodoksë, pasi Krishti ringjallet 3 ditë pasi kishte vdekur në kryq.
(d.d/BalkanWeb)