Nga: FRANCA, ERVIN BAKU*
Gjithçka është gati. Më shumë se 90 000 forca policore dhe xhandarë janë mobilizuar për mbrojtjen e kompeticionit më magjik në Europë. Departamenti Amerikan i Shtetit këshillon amerikanët që ta evitojnë Francën gjatë muajit të festës së futbollit. Britania e Madhe flet për një rrezik të mundshëm aktesh terroriste mbi tifozët e saj. Jetojmë kohë shumë të vështira. E keqja kërcënon të mirën. Pas atentateve që goditën Parisin dhe “Stade de France” më 13 nëntor 2015, të gjithë e dimë që misioni i sigurisë ka ndryshuar nivel. Janë marrë masat e sigurisë së lartë. Maksimale.

Që nuk janë përdorur kurrë më parë për një eveniment sportiv në Francë. Dhe këtë e shikon në Paris dhe në të gjitha qytetet e tjera që do të presin Europianin. Gjithçka është e blinduar. Me policë dhe xhandarë. Nuk i thonë shaka. 2 deri në 3 milionë tifozë pritet të pushtojnë 10 stadiumet e këtij Europiani. Sporti në përgjithësi, dhe futbolli në veçanti, bashkojnë. Dhe në këtë festë të madhe, bashkojnë më shumë se kurrë. Sepse “Euro 2016” është një risi botërore. Europiani 2016 do të luhet në 10 stadiume.

Ndërkohë që për Europianët para tij kishte nevojë vetëm për 8 stadiume. Terrorizmi e di fort mirë këtë. Jo më kot e goditi Parisin dhe “Stade de France” nëntorin e kaluar. Për të mbjellë psikozën e frikës. 7 muaj përpara fillimit të kompeticionit. Terrorizmi harroi vetëm një gjë: që ka të bëjë me Francën dhe popullin e mrekullueshëm francez. Kanë të bëjnë me popullin më rebel në botë. Ky vërtet mund të quhet Europiani i frikës, por është njëkohësisht edhe Europiani i sigurisë më të lartë. Ky është Europiani i festës më të bukur të futbollit.

Do të ketë më shumë ekipe, më shumë stadiume, dhe veçanërisht më shumë ndeshje. Franca ka privilegjin të inaugurojë këtë format të ri prej 24 ekipesh. Dhe është Mishel Platini në origjinë të kësaj reforme. Nga këto 24 ekipe që përbëjnë tabelën finale, kemi 5 vende që vijnë për herë të parë në një Europian: Shqipërinë tonë, Islandën, Irlandën e Veriut, Sllovakinë dhe Uellsin. Kemi gjithashtu edhe kthimin historik të Hungarisë, që iu desh të priste plot 44 vjet për të ritakuar Europianin. Pra festa pritet të jetë e garantuar. Futbolli do të flasë me gjuhën e tij. Më e bukura e gjuhëve. Askush dhe asgjë nuk do të mund ta prishë magjinë e futbollit në këtë “Euro 2016”. Të gjithë aktorët kanë besim të plotë. Edhe kuqezinjtë tanë. Siguria është besim. Nuk është ankth.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb