Kryetari i PD, Sali Berisha mblodhi sot para SPAK mbështetësit në një protestë e cila u lajmërua vetëm gjatëve orëve të pasdites së djeshme. Kujtojmë që javën e kaluar para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dhe GJKKO protestuan edhe mbështetësit e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
Por sot Berisha sqaroi se protestat e opozitës dhe ato të mbështetësve të Veliajt kanë ndryshime. Sipas tij, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës u ngrit administrata shtetërore, kur ato të PD përbëhen nga njerëz të cilët janë të pakënaqur për mënyrën si po gjykohet lideri i opozitës.
Sali Berisha: Dallimi i protestës opozitare me protestën qeveritare, para një institucioni shtetëror, është dallimi midis ushtrimit të të drejtës demokratike të protestës dhe ushtrimit të grushtit të shtetit. Kjo është esenciale, të themi atë që është. Për protesta, ju po të bëni një ritual gjeni me qindra protesta, para Gjykatës së Lartë në SHBA, para Gjykatës së Apelit, protesta të njerëzve që janë të pakënaqur me një gjykim apo me një çështje apo që duan të dëgjohet zëri i tyre, janë një gjë e zakonshme, nuk kanë lidhje me asnjë lloj përmbysje. Kurse protestat e administratës shtetërore, të ekzekutivit kundër pushtetit gjyqësor, janë shprehje absolute e përpjekjes për grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë… …Meqenëse u riktheve te një person si Zef Brozi, unë mund t’u them ju se ai ishte turpi i njeriut dhe turpi i drejtësisë. Çfarë ishte ai?
Merrej një vendim, vendoste gjykata, dhe pasi kishte vendosur trupa gjykuese, jo në një, por në shumë raste, kryetari lëshonte pusullën, ky vendim të mos zbatohet. Pra, kryetari ishte një delinkuent i paimagjinueshëm. Kryetari i Gjykatës të Lartë, që duhej të ishte njeriu që të insistonte për zbatimin e vendimeve të gjykatës, ky lëshonte pusulla ‘mos zbatoni këtë vendim’, kundrejt pagesave ose jo, nuk mund të them, por pusullë të tillë nuk mund të lëshonte kurrë. Pra, ishte ky person që kryente një akt antikushtetues dhe nuk është bërë asnjë protestë para tij, por është nxjerrë jashtë dhe është bërë me prokurori, është ndjekur procesi për ta çuar atje ku e kishte vendin. Një këshillë, të investoni në tipa si Zef Brozi apo Kreshnik Spahiu, duhet të ndjeheni të turpëruar po të ndodheni afër tyre.
Pse? Në kohën kur kishte Këshillin e Lartë të Drejtësisë ky turp-njeri, Komisioni Europian bënte raportin se për t’u transferuar nga Durrësi në Tiranë, duhet të paguajë gjykatësi 200 mijë euro. Se për t’u emëruar në Tiranë, duhet të paguajë gjykatësi 300 mijë euro. Prandaj dhe këta turpe, në vend që të shkojnë dhe të përballen me drejtësinë atje ku duhet, rrinë dhe plotësojnë, bëhen çakenj të Edi Ramës nga ekrani në ekran tjetër. Nuk ka figura më të zeza në historinë e drejtësisë se këta që thashë”, tha Berisha.
(BalkanWeb)
