Arben Malaj, ish-ministër dhe deputet i PS për disa mandate u shpreh në studion News24 se ka tentuar të rikthehet në strukturat e PS.

Malaj sqaroi se nuk ka qenë qëllimi i tij të kandidonte për deputet në 11 maj, por që të këshillonte në atë që ai e konsideron të rëndësishme për të mirën e vendit.

Ish-ministri socialist tha ai e ka shprehur dëshirën e tij përmes komunikimeve publike por shtoi gjithashtu se ka dërguar edhe SMS. Megjithatë, theksoi Malaj, afrimi që ai ka tentuar, ende nuk është pranuar nga strukturat e PS dhe kryeministri Edi Rama.

Arben Malaj: Unë nuk kam asnjë ambicie për të qenë aktiv në politikë si deputet, por jam afruar edhe pse nuk është pranuar, që të shërbeja si këshilltar. Të gjithë eksperiencën që kam. Do të shërbeja kudo që strukturat të më thonin.

E kam thënë publikisht. Kam nisur edhe SMS intelektuale që jam i gatshëm të shërbej si këshilltar, nëse e vlerësojnë, por jo me mandate.

Këshilltari ka një etikë, ti nuk bën publike se çfarë i këshillon kryeministrit, por atë e mbron nga gabimet dhe vendit tënd i shërben. Më dhemb për vendin tim, kam vendosur të jetoj këtu, nuk dua të iki. Dhe e dyta them, ka disa njerëz të mirëarsimuar që mund të jenë në pjesë akademike, të politikës, biznesit që duhen përdorur pozitivisht në mënyrë që edhe zbusim ato grindjet e përhershme, edhe japim një oponencë. Pastaj i pëlqen apo jo, në botë në mjekësitë moderne thonë se kur ke këtë sëmundje qeverisëse ose njerëzore, ti ke detyrimin të gjesh një opinion të dytë dhe ky është roli i këshilltarëve që kanë përvojë dhe eksperiencë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb