MAMURRAS – Është dhunuar për rreth 5 vjet sistematikisht nga bashkëshorti i saj, ndërsa së fundmi ai ka tentuar edhe ta vrasë. Personazh i kësaj historie të dhimbshme është 26-vjeçarja Etleva Guri, nënë e tre fëmijëve nga qyteti i Mamurrasit. Ajo nuk ka mundur ta durojë më dhunën nga bashkëshorti, duke bërë denoncimin në polici. Bashkëshorti i saj është arrestuar dhe tashmë ndodhet në burg.

Prej tre javësh Etleva bashkë me tre fëmijët e saj të mitur është strehuar tek prindërit e saj, por këta të fundit jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe pa asnjë të ardhur. Sikur të mos mjaftonte dhuna e vazhdueshme me të cilën ishte përballur prej kohësh, Etlevës tashmë i duhet të përballet edhe me varfërinë, duke mos patur asnjë të ardhur për të mbajtur fëmijët e saj. Teksa rrëfen dhunën fizike dhe psikologjike që ka kaluar prej 5 vitesh, Etleva kërkon ndihmën e shtetit që t’i sigurohet një banesë ku mund të strehohet bashkë me tre fëmijët e mitur.
“Në datën 31 dhjetor burri më kërcënoi me armë dhe unë u largova nga banesa. Ai gjithmonë ka qenë i dhunshëm por kam duruar për hir të fëmijëve. Ka ardhur në datën 3 tek shtëpia e babait më ka rrahur dhe pastaj e kam denoncuar në polici. Prindërit e mi nuk kanë mundësi të më mbajnë ”- rrëfen Etleva.
Nëna e 26-vjeçares Vera Murati tregon se asnjëherë vajza nuk ju kishte treguar prindërve për dhunën e vazhdueshme që përjetonte. Por tani që Etleva ka nevojë për prindërit, ajo thotë se e ka të pamundur ta mbajë vajzën me tre fëmijët e mitur, pasi të ardhurat e saj janë vetëm 4500 lekë në muaj.
“Jemi pa asnjë të ardhur, fëmijët pa punë dhe të gjithë pa punë. Vajza ka pesë vjet që dhunohet nga bashkëshorti, nuk na ka thënë gjë fare. Ka ushtruar dhunë edhe me fjalë edhe e ka rrahur, e ka kërcënuar edhe me armë. Do ta mbajmë vetë derisa të gjendet një zgjidhje. A nxirret fëmija jashtë. Vetë do të rri pa ngrënë, fëmijëve do tu jap.”- shprehet nëna e Etlevës.
26-vjeçarja Etleva Guri aktualisht jeton në një dhomë 7 metra/katrore tek prindërit e saj, ndërsa thirrja e kësaj nën për ndihmë vjen e fortë, pasi nuk ka asnjë të ardhur për të mbajtur veten dhe tre fëmijët e saj, po aq sa i duhet edhe kthimit të bashkëshortit.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb