Në vijim të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, mbajti një fjalim para qytetarëve të Mirditës, duke e cilësuar këtë krahinë si simbol të qëndresës dhe dinjitetit përballë pushtetit aktual.
Gjekmarkaj theksoi se Mirdita, ndonëse e rënduar nga padrejtësitë dhe varfëria e shkaktuar nga qeverisja aktuale, mbetet e palëkundur në idealin e saj për liri dhe demokraci. “Kjo krahinë trimash është e tillë dhe sot, kur me gjithë tiraninë që mban mbi supe nuk dorëzohet. Ajo ngrihet, rebelohet, qëndron dhe fiton,” u shpreh ai.
Ai akuzoi qeverinë për grabitje të pasurive kombëtare, ndërsa theksoi se qytetarët e Mirditës nuk do të dorëzohen përballë ofertave boshe. “Mirdita u tregon pushtetarëve të sotëm, grabitës të pasurive të vendit, se mund të vjedhin mbi tokë e nëntokë, por nuk grabisin dot idealin e lirisë,” tha Gjekmarkaj.
Duke iu referuar ofertës së Partisë Demokratike, ai shtoi: “Ne nuk ju premtojmë lugët e floririt dhe pasaportën e degëdisjes në rrugët e Evropës. Ne flasim me gjuhën e zemrës.”
Në fund, Gjekmarkaj theksoi rolin e Sali Berishës në këtë garë, duke e cilësuar atë si simbol të besueshmërisë dhe zgjidhjes për vendin: “Rilindja është virusi, Shqipëria është e sëmura, Berisha është doktori.”
