Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe perspektivën e bashkimit të opozitës, duke theksuar se ky debat ka marrë peshë të veçantë në zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas Kikisë, në një sistem normal demokratik, opozita nuk është domosdoshmërisht e detyruar të jetë e unifikuar, pasi çdo parti ka të drejtën të mbrojë filozofinë e saj politike dhe programin e vet.
“Çështja e bashkimit mori konotacionin e domosdoshmërisë në zgjedhjet e përgjithshme. Në një situatë normale opozita nuk është e thënë të jetë e unifikuar, çdo parti ka të drejtën e saj të mbrojë filozofinë e saj politike dhe parimet e veta”, u shpreh ai.
Megjithatë, gazetari theksoi se realiteti politik në vend ka bërë që kjo çështje të shihet ndryshe nga publiku dhe vetë opozita.
“Mund të ketë bashkim në disa pika dhe secili të ketë qasjen e vet ndaj publikut. Por duke pasur parasysh një parti me 4 mandate në pushtet, e unifikuar me pushtetin dhe shtetin, e konsoliduar fuqishëm ekonomikisht… nuk supozohej se do mundej në një proces ku secila parti ishte veçmas”, tha Kikia.
Ai shtoi se gara politike është perceptuar më shumë si një sfidë sesa si pjesë e zakonshme e demokracisë.
“Mundja e Ramës u shndërrua jo si pjesë e lojës së demokracisë por në sfidë. Për këtë arsye publiku opozitar ishte sy e vesh dhe filloi të ushtronte presion”, u shpreh ai.
Sipas Kikisë, presioni i publikut për bashkëpunim mes partive opozitare ka qenë i dukshëm.
“Publiku bëri këtë: pse nuk bashkohen partitë e opozitës për të mundur Ramën. Për këtë arsye, bashkëpunimi ishte më shumë se sa nevojë politike e vetë partive”, deklaroi ai.
Ai theksoi gjithashtu se pritshmëritë elektorale nuk janë përmbushur dhe se realiteti politik ka treguar kufijtë e llogaritjeve partiake.
“Historia tregoi se pritshmëritë… fundin e pamë të gjithë. Për të kuptuar se pritshmëritë në një realitet ku votojnë 1.5 milion njerëz dhe matematika është në favor të atij që ka pushtetin… ky lloj bashkëpunimi bëhej jetik”, tha Kikia.
Në përfundim, ai nënvizoi se debati për bashkimin e opozitës lidhet me vetë strukturën e sistemit politik në vend, ndërsa disa parti të vogla, sipas tij, përfaqësojnë shtresa të caktuara shoqërore dhe gjejnë vend në këtë konfigurim.
