Në një intervistë për News 24, Et’hem Ruka, kryetar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, u shpreh se Frashëri nuk duhet parë thjesht si një vendbanim, por si “Meka e shqiptarizmit”.
Deklarata u bë në kuadër të një konference të mbajtur në Frashër, kushtuar vëllezërve Frashëri – figura themelore në ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Ruka theksoi se qëllimi i konferencës ishte të risjellë në vëmendje historinë dhe rëndësinë e këtij fshati të harruar, i cili dikur u shkatërrua më 1913 dhe sot është lënë pas dore. Ai e cilësoi Frashërin si një vend që meriton të kthehet në qendër pelegrinazhi për shqiptarët, në nderim të tre personaliteteve të mëdha që ai dha për kombin.
Et’hem Ruka: Frashëri nuk është një vendbanim, por është Meka e shqiptarizmit. Ne bëmë konferencë në Frashër. Ne ishim të vendosur që të bënim konferencën. Vëllezërit Frashëri qëndrojnë në themel të identitetit tonë kombëtar. Në Konferencë u njohëm me fakte të reja. Frashëri dikur u shkatërrua më 1913, ndërsa tani është harruar. E kemi harruar dhe e kemi lënë pas dore. Ne donim të kthenim identitetin e Frashërit, siç e meriton, në një qendër peligrinazhi. Është familje që ka nxjerrë tre personalitete të jashtëzakonshme. Vëllezërit Frashëri ngjizën identitetin kombëtar, në një kohë të vështirë.
