A po jetojmë në dekadën e populistëve? A është demokracia e rrezikuar nga vetë format e reja të komunikimit politik? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që shtroi Ditmir Bushati në episodin më të fundit të Public Square, ku i ftuar ishte analisti i njohur politik rumun,.

Në një bashkëbisedim të thellë dhe të drejtëpërdrejtë, Bushati dhe Magdin analizuan sesi zgjedhjet e fundit në vende kyçe si Polonia, Gjermania, Rumania dhe Shqipëria kanë reflektuar jo vetëm prirjet globale drejt polarizimit politik, por edhe një ndikim gjithnjë e më shqetësues të rrjeteve sociale dhe aktorëve ndërkombëtarë në demokracitë e brishta.

“Jemi duke kaluar nga një demokraci e audiencës, ku qytetarët ishin aktivë përmes debatit dhe përfshirjes publike, drejt një demokracie digjitale ku algoritmet, emocionet dhe klikimet ndikojnë fuqishëm mbi zgjedhjet tona politike,” – tha Magdin.

Biseda përfshiu edhe dimensionin ballkanik dhe shqetësimet për ndërhyrje të huaja në zgjedhje, përfshirë përdorimin e strategjive të stilit “MAGA” nga forcat opozitare në rajon. Magdin theksoi se respekti tradicional ndaj SHBA-ve në Europën Lindore nuk përkthehet më automatikisht në sukses elektoral, pasi votuesit janë bërë më kritikë, më të ndjeshëm ndaj manipulimeve digjitale dhe më kërkues ndaj lidershipit.

“Demokracia sot kërkon më shumë transparencë, më shumë komunikim, më pak arrogancë dhe më shumë dëgjim të qytetarit,” u shpreh Magdin, duke theksuar rolin vendimtar të edukimit politik dhe rezistencës ndaj ekstremizmit digjital.

Episodi sjell një paralajmërim, por edhe një apel: partitë tradicionale duhet të rilidhen me njerëzit. Përndryshe, hapësira bosh do të mbushet nga anti-sistemi, nga thjeshtësia e rreme dhe nga emocionet e pavlerësuara.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb