Policia në Serbi ka kryer arrestime të shumta në rastin që lidhet me tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, kur 16 persona u vranë nga shembja e një çatie më 1 nëntor 2024.
Deri më tani, gjashtë persona janë arrestuar, përfshirë Tomilsav Momiroviç, Ministër i Ndërtimit dhe Infrastrukturës për periudhën 2020-2022. Momiroviç u arrestua në aeroportin e Beogradit pak para se të hipte në një fluturim jashtë vendit, raportuan mediat serbe.
Policia u përpoq të arrestonte një ish-ministër tjetër Goran Vesic , por ai nuk ishte në shtëpinë e tij. Sot u bë e ditur se Vesiç u dërgua me urgjencë në spital mbrëmë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Zëvendësministri i së njëjtës ministri u arrestua gjithashtu, si dhe drejtues të kompanive të përfshira në rindërtimin-rinovimin e stacionit hekurudhor. Tragjedia ndodhi tre muaj pas përfundimit të punimeve të rindërtimit të stacionit .
Arrestimet u urdhëruan nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për Krimin e Organizuar , e cila po heton korrupsionin e mundshëm në rindërtimin e rrjetit hekurudhor nga Beogradi deri në kufirin hungarez.
Deklarata e prokurorisë tha se personat e arrestuar, si dhe pesë persona të tjerë që janë në kërkim, dyshohen për “parregullsi financiare me qëllim përfitimin e përfitimeve personale”. Gjithashtu thuhet se veprimet e tyre shkaktuan dëme në buxhet prej 115 milionë dollarësh.
Vdekja e 16 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit ka shkaktuar një stuhi reagimesh. Studentët kanë zhvilluar protesta duke duke bllokuar fakultetet e universiteteve publike që nga nëntori i vitit 2024.
Sot, në nëntëmujorin e tragjedisë, në Novi Sad dhe në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë do të mbahen tubime për të kujtuar dhe nderuar viktimat.
(BalkanWeb)
