Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) i është bashkuar deklaratës së përbashkët të dhjetëra organizatave vendase dhe ndërkombëtare që kërkojnë shpjegime të menjëhershme mbi veprimet e policisë ndaj Focus Media Group, që përfshin News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazetën Shqiptare.

Kujtojme që kjo deklarate vjen pas 4 ditesh, kur Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën ku ushtrojnë veprimtarinë këto media, ndërpreu energjinë elektrike dhe ndaloi hyrjen e gazetarëve e stafit, duke ndërprerë transmetimin e News24.

Sipas MFRR dhe organizatave nënshkruese, operacioni u krye pa paralajmërim dhe mbi baza ligjore të paqarta, duke ngritur dyshime serioze për proporcionalitetin dhe respektimin e procedurave. Ata paralajmërojnë se kjo ndërhyrje ka lënë rreth 230 punonjës të mediave pa mundësi pune dhe në rrezik papunësie.

MFRR kërkon nga autoritetet shqiptare të publikojnë bazën ligjore të operacionit, të heqin kordonin policor, të rikthejnë energjinë elektrike dhe të lejojnë hyrjen e lirë në redaksi, si dhe të mbrojnë materialet dhe pajisjet gazetareske.

Sipas deklaratës, kjo situatë nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale, por një çështje e rëndë që lidhet me lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb