“Rendi i ri” titullohet shfaqja që po vë në skenë regjisori Kiço Londo me Teatrin Shëtitës “Çajupi”. E shkruar nga spanjolli Sergi Pompermayer, shfaqja ka në qendër një vend që lufton mes dritës e errësirës problemet me demokracinë. Pjesa vihet në skenë nga një teatër pa godinë që e ruan dhe e përcjell artin përmes shpirtit

I pyetur pse ka zgjedhur këtë temë, Londo thotë se ka “ka një koherencë mes ngjarjeve që ndodhin në shfaqje me ato që ndodhin në vendin tonë.

“‘Rendi i ri’ është një dramë emocionalisht komplekse. Ngjarja e saj zhvillohet në një repart të braktisur autopsie dhe ka në qendër tre rrëmbyes dhe një të rrëmbyer që ka qenë ministre. Personazhet janë nën kthetrat e urrejtjes dhe grindjeve të vazhdueshme për vendin pa siguri e me trazira, me krizë demokracie, vënie në pikëpyetje të drejtësisë, abuzimin emocional, anarkinë dhe konfuzionin ekzistencial”, tha Londo.

Intervista me London përkon me kohë të trazuara në vend dhe në vetë median ku ai po flet për shfaqjen e tij, pas bllokimit nga policia në datën 9 gusht.

“Unë besoj që për ju, më besoni, konsiderojeni si fat këtë që ndodhi. Për ju ka filluar një epokë e re, ju uroj shumë fat në këtë epokë të re”, tha Londo.

Shfaqja do ta ketë premierën në Kosovë dhe më pas do të udhëtojë drejt Kukësit e Tropojës për të ardhur më pas më drejt qendrës. Londo e sheh Teatrin Shëtitës tashmë shumë larg prej kohëve të mbijetesës. “Ne e kemi kaluar sfidën, jemi ashtu si edhe ju në një epokë të re”, tha Londo, regjisor i disa shfaqjeve dhe më herët drejtues teatrosh.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb