Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji komentoi sulmin e autoriteteve ndaj News24 duke deklaruar se mediat kritike dhe kundërshtare me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, goditen.

Në Top Story, Salianji tha shembja e hotel “Prestige” kishte si prapavijë vënien nën kontroll të News24, televizionin më të madh informativ në vend.

Salianji akuzoi Ramën për sjellje autokratike dhe përdorim selektiv të ligjit, duke goditur vetëm ata që nuk i binden pushtetit, ndërsa shtoi se miqve u legalizon edhe ndërtimet pa leje.

“Një oligark ka ndërtuar një kullë para Bashkisë së Tiranës, mu në mes të kryeqytetit, janë katër kate pa leje. Pse nuk u shembën? Ndërsa për të kontrolluar News24 u shemb “Prestige”. Aty ky i ka kundërshtarë i prish ky, aty ku nuk i ka i legalizon. Këtu nuk ka më as ligj, por vetëm një autokrat që varet si zgjohet dhe si ngryset e të gjithë vijnë vërdallë. Fakti që ka marrë 83 mandate është licencë për shkatërrim, licencë për të përzënë njerëzit? Do diskutojmë faktet? Për 12 vite me radhë kush i lejoi ndërtimet të lulëzojnë në të gjithë Shqipërinë? A kanë marrë ryshfet inspektoratet e territorit, policitë bashkiake, Policia Shtetit? Ku është situata e zjarreve sot në raport me atë që ka thënë Edi Rama? Tha do investoj në satelitë dhe dronë”, u shpreh Salianji.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb