NGA: PËRPARIM KABO*
Dikur udhëtoja në Holandë dhe fati e solli të kaloja me makinë mbi një urë mbi det, jo nga ato me këmbë që duket sikur krenarisht ngrihen mbi sipërfaqe dhe e shohin ujin e kripur e të paanë me indiferentizëm. Ishte një urë mbi sipërfaqen e detit. Kisha menduar se sfida të tilla nuk kanë shoqe. Por ja që “Open Air International Film Festival”, që sapo mbylli edicionin e tretë në Sarandë (kryesisht) e Gjirokastër, është nga ato befasi ku arti i imazhit, përzier me aromën e detit, të ngjiz në vetëdije përfytyrimin se kujtesa në prehistorinë e saj është pikërisht pasqyrimi i asaj që sheh dhe ndjen, e gjithçkaje që do duhet të fiksohet për t’u riparë. Dikur si fakt e dokumentim, tashmë prej kohësh edhe si arti që ndryshoi botën, si filmi artistik, dokumentar dhe memorialistik. Netët e festivalit në Sarandë kishin brenda një magji gati prehistorike. Arti magjik i filmit, kombinuar me erën e detit, me atë vetminë kuriozplotë që sjell deti natën, ku llamburitja e dritave e përmbys qytetin si për ta zhytur në thellësitë e Jonit, dhe ku sekretet e njerëzve atje brenda të lajnë mëkatet.

Në ditët e festivalit, edhe personazhet e filmave nga Suedia, Rusia, Gjermania, Zvicra, Franca, Turqia, Shqipëria, Kosova, por edhe nga SHBA-të e Australia, përmes ekranit të madh erdhën te ne spektatorët, u rrëfyen, na hynë në thellësi, na lanë ca mesazhe të kuptimta, e mandej, në formën e një eteri shpirtëror si figura që shndërrohen në ‘amfora’, u zhytën në det, ikën në thellësitë e errëta, për t’u strehuar si dëshmi që pas 100 apo 200 vjetësh njerëzit të zbulojnë se këtu dikur është zhvilluar një festival ndërkombëtar filmi. Pikërisht mbi atë pontile të vjetër, ndarë nga të dyja anët nga deti, ka ndodhur që njerëz të apasionuar si Edmond Topi dhe Mirela Oktrova, guxuan të sillnin kinemanë. Qyteti i 40 Shenjtorëve kishte fatin të rishenjtërohej me bekimin e filmit, këtij arti që e ka bërë botën të mendojë ndryshe, të shohë veten më thellë, e te pasmja e ka bërë njeriun të rendë pas imazhit për ta takuar e t’i thotë: më ngjan apo jo mua që ndërtoj filmin e jetës? Në një vend si yni, ku qytetet kanë humbur sallat e kinemasë, dhe dëshira e dikurshme e zjarrtë për të qenë spektatorë është zbehur, mbase dikush mendon se, ç’na duhen festivalet e filmit? Unë kam tjetër qasje. Pikërisht për këtë arsye festivalet duhen. Ditët e tij janë një kinema intensive, shfaqje filmash me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, shkolla të ndryshme të kinematografisë, problematika të shumëllojta, gjetje tipike apo atipike, shprehje të hapura dhe metaforike, imazh artistik dhe art që flet me gjuhën e imazhit, eksperienca, kultura nga më të ndryshmet.

E gjitha kjo ngjarje me kaq prurje mund të quhet ndryshe, më shumë liri. Liria si rregulli që i zgjeron kufijtë e vet sepse personazhet duan ta ndryshojnë jetën dhe botën, ngjarjet sjellin dramacitetin e përpjekjes, sintaksa e imazhit filmik mund të ndërtojë arkitektura të tilla të montazhit ku epokat dialogojnë qoftë edhe në pak minuta. Filmi artistik mund të zvogëlojë dimensionet e shpalosjes, sepse nga ekrani i madh mund të të vijë edhe në ekranin e vogël televiziv, por kurrë filmi nuk mund të rrudhë dimensionet e vlerave që përcjell. Filmat e përzgjedhur në këtë festival ishin mjaft të arrirë, cilësorë, dhe me një nivel të lartë të realizmit artistik dhe teknologjik-komunikativ. Konkurrimi për pjesëmarrje e kishte kaluar shifrën e 1.000 filmave, çka tregon se interesi është tashmë trans-kontinental. Të caktosh se cilët filma duhet të pranohen në një festival ndërkombëtar është një detyrë profesionale në shumëplanësi. Veprat konsiderohen si arritje artistike, si mesazhe për kohën, si ndërtime regjisuriale. Ata vlerësohen për skenarin, për montazhin, për kamerën, për kolonën muzikore, për të gjithë elementët që e ndërtojnë filmin si një të tërë. Kjo kulturë përzgjedhjeje dhe seleksionimi është tipari dallues i festivalit.

Në edicionin e tretë të festivalit “Dea”, që u zhvillua nga data 18-26 qershor 2016, ishte realizuar një punë paraprake tejet e kujdesshme. Thjesht, kishin ardhur në ekranin e madh filma të viteve të fundit, me një gjeografi impresionuese dhe me tregues të lartë cilësorë. Pamë filma që na mbërthyen në vëmendje, që na mbushën me emocion, që na bënë të mendohemi se ku shkon bota, si është njerëzimi, ç’ndodh me popujt dhe si dhe sa dialogojnë dhe dallojnë kulturat. Shijuam një kinematografi larg skematizmit, komunikimit pllakatesk dhe propagandës sterile. Personalisht ndjeva se sa bukur ishin kombinuar, imazhi si gjuhë me fjalët e skenarit si mendim. E them këtë sepse ende në disa filma tanët, vijohet me stilin e vjetër, që fjala të tregojë imazhin dhe imazhi të përsërisë atë që është parathënë me fjalë, duke dalë kështu nga natyra e gjinisë së filmit dhe duke dekonspiruar sekretet e tij në dramacitetin që do të duhej të na mbante pezull deri në fund. Ky lloj shoqërizimi mes gjuhës filmike dhe fjalës, kur mbahet në ekuilibër dhe brenda parametrave të njohjes që mbyllet në fund të filmit, ose më saktë edhe pas filmit, kur rri e mediton për atë që ke përthithur emocionalisht. Kjo sjellje e shndërron filmin, nga një i tillë që të vjen nga jashtë si shijim arti, në një film të brendshëm, që vijon të shfaqet në ekranin e ndërgjegjes njerëzore falë projektimit që i bën kujtesa sa herë që rrethanat e sjellin provokimin reflektues.

ÇFARË TREGOI DEA FILM FESTIVAL MBI DET…
Te filmi zviceran “Asgjë nuk ndodhi”, të regjisorit Micha Lewinski, bota shikohet herë nga ngjarja e një vajze 15-vjeçare që përdhunohet nga një mik i familjes së Tomasit, burrit që është në qendër të filmit, dhe herë nga ky adult, i cili luhatet mes së vërtetës që duhet të tregohet dhe pasojave që mund të merrte po qe se e tregonte se çfarë kishte ndodhur. Vajza ishte e shefit të tij dhe ajo iu bashkua atyre në një fundjavë në një qendër skish. Zbulohet hap pas hapi një plagë e shoqërisë së sotme, se karriera e adultëve ka lënë pas dore kujdesin se ç’ndodh me të rinjtë. Kjo sjellje është e rrezikuar deri në fije të shpirtit, aq sa, përballë asaj që mund të ndodhë, harrohet njeriu dhe brenga e tij, dhe ngrihet një shqetësim tjetër: policia, ligji, pasojat, karriera. Të vrasësh një ndërgjegje që nuk ka kurajë të tregojë dhunimin e trupit është prag fundi; përtej tij mund të përfshihesh edhe në shkaktimin e vdekjes së të tjerëve duke ndërtuar rrethanat e papërgjegjësisë para ligjit. Çfarë ndodh mes nesh? Të fshehësh të vërteta, ndryshe mund të lexohet “Asgjë nuk ndodhi”! Filmi suedez, që mori dhe çmimin për regjinë më të mirë, i regjisores së re Amanda Adolfsson, titullohej: “E reja Sofi Bell”. Sërish në qendër, dy vajza të reja që sapo mbyllin maturën. Hareja shkon deri te trupi, instinkti, seksi. ‘Jemi të rritura, duam më shumë liri, dhe kufijtë duhet të zhvendosen. Të ikim jashtë vendit, në Gjermani’. Njëra nga vajzat shkon atje dhe pas pak kohe gjen vdekjen.

Tronditje e thellë e Sofisë. Humbet shoqen e dashur, mike që nga fëmijëria. Ëndrra u nda në mes, pastaj gjysma e saj u shua. Niset për në Gjermani dhe falë udhërrëfyesit të sendeve të saj Sofia ribën të gjithë itinerarin e saj, duke zbuluar në fund vetëvrasjen e shoqes. E frikshme! Në fund të filmit e pyeta regjisoren: “Kaq fatale është jeta, ku zgjerimi i lirisë përmes ëndrrës mund të sillet si vdekje?” Ajo buzëqeshi dhe më tha: “Është vetëm rasti në filmin tim.” Pas shfaqjes, kryetari i jurisë, zoti Michael Wiedemann më pyeti: “Si duhet ta kuptoj pyetjen tuaj?” I shpjegova se sa tragjedi kanë ndodhur me shumë të rinj shqiptarë që kanë provuar ta zgjerojnë ëndrrën jashtë atdheut, ushqyer nga dëshira për më shumë liri, dhe se si fati i ka shpërblyer me fatkeqësi nga më të ndryshmet, deri në humbjen e jetës. “Po më bën të mendohem”, – m’u gjegj kolegu gjerman. Me sa duket solli në mendje se kohët e fundit shumë njerëz, si në një pelegrinazh gati biblik nisen në tokën e ëndërruar dhe gjejnë mjerisht pak ose aspak shpresë dhe liri, madje fati u ka rezervuar edhe tragjeditë aq prezente. Filmi rus me titullin “Myshku i bardhë”, që fitoi kupën “Dea” për drejtorin më të mirë të fotografisë, na shpinte larg, në Siberi, në tundër, në një komunitet lokal që jetonte me historinë e vjetër, me besëtytninë ndaj kafshës së bekuar drerit, që për ta qe jeta, eposi, kujtimi, pasuria dhe lutja pagane. Edhe këtu si pa kuptuar kemi sërish të rinjtë përballë dilemës: të qëndrojnë atje apo të largohen. Të ikurit rikthehen të veshur me modernitetin e metropoleve dhe me etjen që gjithçka mund të shndërrohet në mall tregu, madje edhe dreri, duke vrarë kështu traditën, kujtesën, identitetin dhe duke shkulur rrënjët.

Ikje ngado, për t’i bërë gjërat ndryshe, dhe zhgënjimi të bashkëshoqëron si një mjegull që ngrihet nga shpirti njerëzor, si një pagesë e fatit pa fat. Edhe filmi shqiptar me regji të Bujar Alimanit, titulluar “Krom”, në qendër kishte fatin e të rinjve në një hapësirë të humbur, ku jeta është e mbyllur, ku buka kushton, ku njeriu mund të braktiset nga gjithçka. Një adoleshent dhe një fëmijë, me një nënë memece që punon pa u lodhur për ta. Një nënë që kur shprehet si femër me një burrë që kujdeset për të, tronditi gjithçka brenda fëmijëve të saj. Udhëtohet në dy pista. Imagjinata me nënën që bën dashuri me të dashurin, dhe rrugëtimi gati snobist i një mësueseje të re që do t’i tregojë adoleshentit se ç’është jeta moderne. Në mes është miniera e kromit, ku djaloshi punon vetëm e vetëm që i dashuri i nënës të mos e ketë trupin e saj, falë faktit që i jep para që të rrisë fëmijët. Ku është familja te filmi “Krom”? Në mes të rrugës ose askund. Të rinj që rriten si të tillë, cilën të ardhme sjellin, cilën të ardhme do të duhet të presin? Filmi më i bukur dhe fitues i festivalit u shpall unanimisht filmi gjerman “Shteti kundër Fric Bauer”.

Juria e festivalit përbëhej nga; Michael Wiedemann- Gjermani, producent dhe menaxher festivalesh filmi, Antonella Gaeta-gazetare dhe skenariste, Lumnie Sopi-Kosovë, aktore; Martin Kaufmann-Zvicër, me një histori familjare dhe personale me kinemanë dhe klube të filmit, dhe Përparim Kabo-Shqipëri, filozofkritik arti. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur ekonomia merr një bum zhvillimi, prokurorit gjerman me origjinë hebreje i dalin shumë vështirësi në punë. Eprorët dhe qeveria e tij duket se kanë harruar të shkuarën naziste. Fric Bauer zbulon se Adolph Eichmann, drejtues në kampin famëkeq të Auchvicit, jetonte nën identitet të rremë në Argjentinë. A duhet dënuar ai? “Po”, – do thoshim me një gojë të gjithë. Por ja që nuk ishte e lehtë. Ish-kolegë të kriminelit Eichmann punonin në sistemin e drejtësisë dhe në pushtetet e larta. Drama është sa personale aq edhe e atdheut. Një individ përballë shtetit nuk mund të bëjë dot gjë, sigurisht. Por kur në mes hyn atdheu, atëherë njeriu gjen motivet, ka kurajën, pranon sfidat dhe nuk ka frikë nga vetëflijimi. Bauer nuk dorëzohet, rrezikon moralisht dhe ligjërisht, por mendon për Gjermaninë e së ardhmes, për brezat që do vijnë, për vendin që duhet t’u lihet fëmijëve. Eichmann shkon në bankën e të akuzuarit. Drejtësia vihet në vend. Historia shpaguan falë Fric Bauerit. Pas kësaj rrëfenje, përmbledhtazi duket qartë se filmat janë aq të largët si gjeografi dhe aq të afërt si problematikë. Për brezat e ardhshëm, a mendojmë sot; ndryshe vjen një e ardhme e pamenduar, dhe koha pa përkujdesjen e arsyes është koha e verbër…koha që vë në pikëpyetje jo thjesht veten, por edhe historinë. Kur shpreha mendimin tim për filmin fitues, kolegët e jurisë më pyetën: “Pse ju mendoni për këtë film?” U shpjegova: “Kur mbaron një sistem? Kur përmbyset ai? Jo”, – u thashë. “Nëse ata që drejtonin dje nuk largohen bashkë me sistemin, por infiltrojnë në sistemin e ri, atëherë asgjë nuk mund të quhet e mbyllur, e përfunduar, e zgjidhur. Ne në Shqipëri këtë po vuajmë, – u nënvizova. – Duam të ndërtojmë shoqërinë demokratike me mentalitetin dhe njerëzit që drejtonin në sistemin diktatorial. Por me një ndryshim: Ne ende nuk kemi Fric Bauer”. Kolegët vunë buzën në gaz dhe miratuan arsyetimin, të cilin e mbylla me fjalët: “kujdes nga inercia në historinë njerëzore”.

DEA, MITIKJA DHE REALJA…
Në antikitet Dea ishte Bona Dea (“Hyjnesha e Mirë”), një hyjni në fenë e lashtë romake. Ajo ishte e lidhur me dëlirësinë dhe fertilitetin te gratë, me shërimin dhe mbrojtjen e shtetit romak dhe njerëzve. Ritet e saj u lejonin grave përdorimin e verës së fortë dhe të gjakut të sakrificës, ndryshe nga tradita romake. Burrat u ndaluan nga misteret e saj dhe të zotërimeve të emrit të saj të vërtetë. Duke pasur parasysh se autorët meshkuj kishin njohuri të kufizuara të riteve të saj si dhe atributeve, pikërisht për këtë arsye ka pasur spekulime të shumta rreth identitetit të Deas. Koka e saj ndodhet në qytetin antik të Butrintit. Pikërisht kësaj hyjnie ky festival filmi i pasuron kurrikulumin. Ndoshta është nga të vetmit festivale që mban një emër hyjnie dhe ky është një motiv më shumë për të tërhequr vëmendjen e kineastëve dhe menaxherëve të artit, por mbi të gjitha edhe të publikut. Indiferentizmi i tij nuk vret thjesht një festival apo filmin, shpie në vetëvrasje mentalitetin njerëzor, sepse ka vende, fjala vjen si Mongolia, ku njerëzit udhëtojnë 10-ra km mbi kalë që të shkojnë të shohin një film. Dea shëronte në antikitet shtetin dhe njeriun. Në ditët tona, Dea film festival sërish do të shërojë shtetin dhe njeriun. Unë isha atje, historia vazhdon!
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb