Gjoba 4 milionë euro ndaj “Prestige Resort” nga administrata tatimore, edhe pse resorti nuk ekziston më që prej dhjetorit 2022 kur u shemb nga vetë qeveria, konsiderohet gjerësisht si vendim i motivuar politikisht.
Deputeti i PD, Enno Bozdo ka reaguar ashpër ndaj këtij akti, duke e quajtur jo një kontroll të rregullt fiskal, por një formë presioni dhe hakmarrje ndaj një grupi mediatik që nuk pranon të heshtë. Ai thekson se në Shqipëri nuk ndëshkohet krimi, por guximi për të qenë i pavarur si në biznes, ashtu edhe në media.
Sipas Bozdos, kjo goditje ndaj “Prestige Resort”, “News24” dhe “Panorama” është një mesazh i qartë se fjala e lirë ka një çmim, dhe kush nuk i bindet pushtetit, e paguan shtrenjtë.
“Prestige Resort” mund të jetë rasti i vetëm në botë, kur një biznes “gjobitet” 3 vite pasi ka pushuar së ekzistuari.
Reagimi i Bozdos
Në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan, thuhet se Shqipëria është “një vend i vështirë për të bërë biznes”.
Por përtej diplomacisë, realiteti është më i hidhur në Shqipëri, të bësh biznes është sfidë, por të jesh i pavarur është rrezik.
Rasti i “Prestige Resort” është dëshmia më e qartë. Një resort që u çertifikua si “perla e Adriatikut”, nga Rama u hodh në erë nga vetë ai në dhjetor 2022. Sot, tre vite më pas, qeveria shkon edhe më tej gjobit një biznes që nuk ekziston më me 4 milionë euro.
Ky nuk është kontroll tatimor. Është hakmarrje politike, e drejtuar kundër një grupi mediatik të pavarur, që guxon të mos heshtë.
Sulmet ndaj “Prestige Resort”, “News24” dhe “Panorama” janë nje mesazh me se e qartë që Edi Rama nuk duron dot fjalën e lirë.
Në një vend ku gjobitet e vërteta dhe shpërblehet servilizmi, nuk ka më treg të lirë, as MEDIA të lirë.
