Janë vetëm 2.2 kilometra rrugë nga fshati Pocest deri në fshatin Popinar që kanë bërë që banorët e Popinarit ta braktisin fshatin. Shumë prej të rinjëve janë larguar në emigracion për shkak të pamundësive që kanë në fshatin e tyre të lindjes, ndërsa shprehen të gatshëm për tu rikthyer nëse rruga e tyre asfaltohet.
Ata shprehen se gjatë muajve të dimrit e kanë thuajse të pamundur të lëvizin nga fshati për shkak të rrugës së keqe dhe të vështirë.
Madje ata shtojnë se as fëmijët nuk i dërgojnë dot në shkollën e Pocestit për mungesë të kalimit në rrugë e cila bëhet shumë e rrezikshme nga prania e akullit dhe dëborës që qëndron gjatë.
Për të gjithë nevojat shëndetësore është vetëm një fuoristradë në fshat që mundohet tju shërbejë gjithë banorëve, ndërsa ushqimet dalin të rinjtë e shkojnë në këmbë në Maqellarë. Banorët thonë se janë mashtruar në këto 35 vite dhe se askush nuk ka bërë asgjë për fshatin e tyre.
Ish kryetari i fshatit Popinar Urim Hamzai, thotë se ka braktisur detyrën e kryetarit të fshatit vetëm sepse kërkesat e tij ndaj Bashkisë Dibër për asfaltimin e rrugës kanë rënë në vesh të shurdhër.
Hamzai shtoi se as për ndërhyrje me zhavor nuk është bërë e mundur, ndaj vendosi të lërë detyrën si kryetar fshati.
Banorët e mbetur ende në këtë fshat kërkojnë ndërhyrje emergjente në rrugën e tyre, në të kundërt, thonë ata, do të largohen si bashkëfshatarët e tjerë.
