Ilir Daja u emërua trajner i Dinamos në sezonin e shkuar, duke marrë drejtimin e skuadrës në javën e katërt. Në debutim, Daja mori një barazim 2-2 ndaj Partizanit, ndërkohë që mbylli sezonin me Kupën e fituar ndërkohë që luftoi edhe për titullin kampion.
Këtë sezon, Dinamo po bën mirë pavarësisht se ka pasur oshilacione dhe duket se deri në fund të sezonit, e pret një rrugë e gjatë. Këtë sezon, Dinamo është duke bërë më mirë se Dinamo e sezonit të shkuar, të paktën nën drejtimin e Ilir Dajës. Në 10 ndeshjet e para të sezonit të shkuar, Dinamo mori 14 pikë. Në 3 sfidat e para, Dinamo kishte 6 pikë ndërsa pas javës së 13, Dinamo ishte në kuotën e 20 pikëve, nga të cilat 14 të marra nga Daja.
Këtë sezon, blutë po bëjnë më mirë pasi pas 10 ndeshjeve të para, ka arritur të grumbbullojë 18 pikë, plot 4 më shumë se sezonin e shkuar. Edhe nëse bëhet një krahasim mes dy skuadrave, pa marrë parasysh se kush ishte trajner, Dinamo e këtij sezoni është më produktive se Dinamoja e sezonit të shkuar.
Në 10 sfidat e para, “nëndetësja” kishte 16 pikë, kundrejt 18 pikëve që ka këtë sezon duke treguar se ecuria është më e mirë pavarësisht luhatjeve që ka pasur. Ndeshjen e radhës, Dinamo e luan ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe natyrisht që një rezultat pozitiv, përveç se do të shtonte numrin e pikëve, do të ndryshonte edhe moralin në ecurinë e skuadrës drejt objektivit që ka përmendur shpesh herë këtë sezon.
