Mbyllet procesi i votimit pë zgjedhjet lokale në 18 komunat në Kosovë, të cilat në raundin e parë dolën në balotazh. Sipas të dhënave të KQZ, me mbylljen e zgjedhjeve në orën 19:00, nga 18 komunat që shkuan në balotazh, vetëm në Mitrovicë të Jugut dhe në Junik pati pjesëmarrje më të madhe në votime sesa në rundin e parë.

Ndërkaq, komunat që zhvilluan balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

LVV pritet të fitojë në Gjilan e Fushë Kosovë

Sipas exit poll-eve të publikuara, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, pritet të fitojnë në Gjilan dhe Fushë Kosovë.

LVV-ja ka qeverisur edhe mandatin e kaluar në Gjilan me kandidatin aktual, Alban Hyseni, ndërkaq Fushë Kosova që nga përfundimi i luftës është qeverisur nga LDK-ja.

Kandidati i LVV-së për Fushë Kosovë është Valon Prebreza.

Exit poll-et: LDK fiton Prishtinën

Sipas tri exit poll-eve, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës parashihet që të udhëheqë edhe për një mandat me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

Rama u përball në Prishtinë në rundin e balotazhit me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje.

Exit poll-et: Gjakova vazhdon me Gjinin

Sipas tri exit poll-eve, Adrian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parashihet që të fitojë edhe një mandat në Gjakovë.

Në raundin e balotazhit ai u përball me Adrian Golën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Exit poll-et: Pejën e fiton LDK, Gazmend Muhaxhiri

Kryetari aktual i Pejës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Gazmend Muhaxhiri, parashikohet të fitojë edhe një mandat.

Kundërshtari i tij ishte Taulant Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb