Që “makina demokratike” është prishur prej kohësh, e treguan qartë zgjedhjet e 11 majit! Humbja e 7-të rradhazi për opozitën në zgjedhjet e përgjithshme foli më zë ulëritës për një sistem që po zvarritet të paktën që prej 2021, pikërisht atëherë kur rregulli i pashkruar i rotacionit dy-legjislaturësh u prish. E megjithëse të gjithë gjetën fajtorin tek Lulzim Basha, i cili me paaftësinë e tij ‘shkelqeu” në 8 vite të drejtimit të opozitës, po të gjithë harruan së historia do tregohej e pamëshirshme me këta që menduan se shpëtuan prej përgjegjësive nga Luli i papërgjegjshëm.

Sepse “pushkatimi i Bashës” nuk e bëri as qeverisjen më të mirë e as opozitën fituese 4 vite pas 8 shtatorit të 2021, ditën që u duk se demokracia do ringjallej nën moton “ta fillojmë edhe një herë lojën nga fillimi”. Por a mund të rifillonte loja me pothuaj të njëtët aktorë dhe mënyrë veprimi? Qartësisht jo! Sepse fatkeqësisht mandati i 3-të i Ramës ka qenë një mandat qeverisës ku abuzimet,
krimi, korrupsioni dhe paaftësia u shndërruan në normalitetin tipik për një qeverisje në fund të inercisë. Ashtu siç opozita e ringjallur vdiq sapo hapi sytë, sapo “çlirimtari” Berisha u soll akoma më keq se uzurpatori paraardhës, që nuk kish qënë gjë tjetër vecse një kopje e banalizuar e atij vetë. Dhe ja ku jemi, ditën e djeshme në zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki morën pjesë vetëm 18% e zgjedhesve! Natyrisht që megafonët e PS dhe PD do turren nëpër studio televizive dhe Facebook duke u justifikuar me mandatin e kotë 1-vjeçar të kryetarëve të sapozgjedhur. Por 18% janë shumë pak zgjedhes në qëndrat e votimit për t’u justifikuar kaq shumë rënien e sistemit.

Sepse arsyet kryesore nuk janë koha e shkurtër e këtij mandati bashkiak por degradimi I dialektikës së rrënuar qeverisje-opozitë. Dhe për më tepër, problemi është shumë I thellë se kaq, pra vec një keqfunksionim i garës. Por rrënjët shtrihën shumë kohë më parë se gara mes mazhorancës dhe opozitës të katandisej në një teatër mediokër. Ndryshimet kushtetuëse të vitit 2008 dhe mbyllja e listave ndërtuan dalëngadalë një kështjellë rëre që herët a vonë do shëmbej. Jo vetëm kaq, por edhe goditja në themel e vetëqeverisjes lokale i dha edhe një goditje dërrmuese demokracisë së brishtë shqiptare, duke i larguar gjithnjë e më shumë qytetarët nga qeverisja. Dhe ja ku jemi, 18% pjesëmarrje në zgjedhjet e djeshme.

E për fatin e madh të Ramës e Berishës, zgjedhjet në Tiranë nuk u mbajtën pasi poshtërimi i Manastirliut dhe Binajt do i vinte kapakun kësaj farse të gatuar nga kryetarët e dy partive të mëdha në bashkëpunim me eunukët që i rrethojnë. Po, po eunukët që nuk guxojnë të belbëzojnë as për “tregtarin e dardhave pas shpine” e as për “kolonelin që nuk ka kush t’i shkruajë”. Gjendja ku jemi nuk është produkt vëtëm i vullnetit të mbrapshtë autokratik të Ramës e Berishës, por sidomos i konformimzmit të atyre që u shërbejnë në verbëri. Regjizorë pa aktorë aktorë nuk. Ndryshe nuk ka
shfaqje.

Çëshja që shtrohet me të drejtë është se cfarë mund të ndodhë pas dështimit të sistemit ditën e djeshme. A ka ndonjë shans real që të dilet nga kjo gjëndje ilegjitimiteti të gjithë klasës drejtuese politike? Gjasat janë që kriza do thellohet edhe më tej. Së pari sepse as Rama e as Berisha nuk kanë ndërmend të marrin ndonjë përgjegjësi për sa po ndodh dhe për më tepër, brenda dy partive më të mëdha askush nuk ka kurajon të nisë ndonjë lëvizje për të shkundur themelet e kalbura ku mbështeten. Të dyja palët do vazhdojnë të drejtojnë gishtin nga tjetri, në një melodi të stërdëgjuar që tashmë u ka lodhur vëshët të majtëve e të djathtëve. Rama do vijojë të kërkojë qëndrimin në pushtet duke stigmatizuar Berishën si “e shkuara” që duhet lënë në opozitë, ndërsa Berisha do fshihet sërish edhe këtë herë pas “rregjimit”, që në fakt e ka ndihmuar vetë të shndërrohet në një kundërshtar të pa mundur për ta mposhtur në zgjedhje. Ndaj zgjidhje të krizës prej Rilindjes e Rithemelimit nuk pse të presë kush.

E vetmja rrugë mbetet një lëvizje jashtë dy partive që janë fajtore kryekëput për situatën. Një PD e 1990, një Syriza greke, apo një Farage anglez. Dikush bashkë me një grup njerëzish të distancuar nga mëkatet e korrupsionit e lidhjeve të PS me krimin dhe po aq të ndryhëm nga një PD e kalbur. Rrugë të mesme nuk ka, pasi edhe nëse SPAK vë më akoma më shumë me shpatulla pas murit kupolën e dy partive të mëdha, kryetarët e tyre kanë shfarosur cdo zë të ndryshëm e alternativ që të nisin shkundjen e shumëpritur. Të tjerët janë tashmë të konsumuar prej konformizmit, mediokritetit e hipokrizisë që i ka çuar në këtë pikë. Pikërisht tek 18% i pjesëmarrjes si simbol i deficitit të rëndë demokratik.

Fundi i tranzicionit ka trokitur prej kohësh në dyert e shqiptarëve, ndërsa dje e shembi atë derë mbase për të hapur një derë tjetër. Atë të republikës së re që të gjithë po e presin, nga ëashingtoni deri në Bruksel.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb