James Abdey, Drejtor Akademik i Asociuar në departamentin e Statistikës pranë London School of Economics (LSE), i ftuar në studion e News24, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Universitetin Luarasi, i pari në Shqipëri që ofron programet globale të LSE-së.

Abdey tha se një nga objektivat kryesorë të këtij bashkëpunimi është krijimi i një mjedisi ndërkulturor të të nxënit.

Abdey u shpreh se ishte “një kënaqësi e madhe të rikthehet në Tiranë për herë të dytë, këtë herë për të përuruar nisjen e brezit të parë të studentëve shqiptarë që ndjekin programet ndërkombëtare të LSE-së në gjuhën angleze.”

Sipas tij, programet e ofruara përfshijnë Financë, Administrim Biznesi dhe Shkencë të të Dhënave & Analizë Biznesi, të gjitha pjesë e Universitetit të Londrës, por të zhvilluara nën drejtimin akademik të LSE-së.

Abdey theksoi se studentët e “Luarasit” kanë mundësi të marrin pjesë në Shkollën Verore të LSE-së në Londër, një program tre javor intensiv, ku kreditet e fituara mund të transferohen në programet që ndjekin në Shqipëri. Për më tepër, studentët mund të aplikojnë për Programin e Përgjithshëm të LSE-së, i cili ofron një vit të plotë akademik në kampusin e Londrës.

Intervista e plotë: 

A mund të na tregoni diçka më shumë për bashkëpunimin mes LSE dhe Universitetit Luarasi dhe çfarë e motivoi LSE të hynte në këtë partneritet?

James Abdey: Është një kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë për herë të dytë, këtë herë për një arsye shumë të veçantë, për të përuruar nisjen e brezit të parë të studentëve shqiptarë që ndjekin programet globale të studimeve të LSE-së në gjuhën angleze.
Këto programe ofrohen në tre degë kryesore: Financë, Administrim Biznesi dhe Shkencë të të Dhënave & Analizë Biznesi. Të gjitha këto janë programe të Universitetit të Londrës, por zhvillohen nën drejtimin akademik të Shkollës së Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE).
Në nivel institucional, LSE ka si synim të ofrojë mundësi arsimimi me ndikim global. Ne dëshirojmë t’u japim të rinjve kudo në botë mundësinë të studiojnë sipas kurrikulave dhe standardeve të LSE-së, por me një kosto shumë më të ulët, duke qëndruar në vendin e tyre. Kështu, studentët mund të studiojnë në nivel lokal, por të mendojnë në mënyrë globale.
Aktualisht, LSE ka 132 Qendra të Njohura të Mësimdhënies (Recognised Teaching Centres – RTC) në 27 vende të botës, të shpërndara në katër kontinente. Jam shumë i lumtur që tashmë njëra prej tyre është Universiteti Luarasi në Shqipëri, i cili është gjithashtu i vetmi institucion në rajonin e Ballkanit që ofron këto programe. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për arsimin shqiptar dhe rajonal.

LSE është e njohur për lidershipin e saj në fushën e politikës, ekonomisë dhe shkencave shoqërore. Si e shihni këtë partneritet duke ndikuar në zhvillimin akademik të Universitetit Luarasi?

James Abdey:Viti 2025 është një vit historik për LSE-në, pasi festojmë 130-vjetorin e themelimit tonë. Që në fillimet tona, themeluesit tanë patën një vizion të qartë: të krijonin një shkollë që do të kuptonte “shkaqet e ngjarjeve”. Kjo moto, “Rerum cognoscere causas”, është thelbi i filozofisë sonë akademike.
Ne në LSE e shohim veten si “shtëpinë e shkencave shoqërore”. Këto janë fusha që studiojnë vendimmarrjen dhe sjelljen njerëzore, ekonominë, politikën, menaxhimin, financën dhe shkencën e të dhënave. Pikërisht këto fusha po ofrohen edhe këtu në Universitetin Luarasi, nën drejtimin tonë akademik.
Rreth 200 akademikë të LSE-së janë të përfshirë drejtpërdrejt në hartimin, zhvillimin dhe përshtatjen e lëndëve individuale të këtyre programeve, përfshirë edhe mua personalisht. Kjo nënkupton që studentët në Tiranë do të mësojnë nga një kurrikulë identike me atë që mësohet në kampusin e LSE-së në Londër.
Pra, nëpërmjet këtij bashkëpunimi, ne sjellim në zemër të Tiranës një kurrikulë që reflekton standardet më të larta të një prej institucioneve më prestigjioze në botë. Mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin akademik të Universitetit Luarasi dhe për krijimin e një gjenerate të re profesionistësh me vizion global.

Një nga objektivat kryesorë të këtij bashkëpunimi është të krijojë një mjedis ndërkulturor të të nxënit. Si do të përfitojnë studentët nga ky shkëmbim idesh dhe njohurish?

James Abdey:Në LSE jemi krenarë për rigorozitetin akademik të programeve tona globale në bashkëpunim me Universitetin e Londrës. Programet tona janë sfiduese, dhe ne nuk kërkojmë t’i bëjmë më të lehta, sepse besojmë se vlera e diplomës që fiton një student lidhet drejtpërdrejt me cilësinë dhe nivelin akademik të programit.
Përmes këtij partneriteti, ne do ta monitorojmë nga afër Universitetin Luarasi gjatë viteve të para të zbatimit të programit, për të garantuar një sistem të fortë sigurimi cilësie dhe për t’u siguruar që arsimimi i ofruar këtu përmbush standardet që kemi në LSE.
Në këtë mënyrë, studentët në Shqipëri do të bëhen pjesë e një komuniteti të gjerë global prej rreth 10,000 studentësh që ndjekin të njëjtin program në vende të ndryshme të botës, nga Singapori dhe Japonia, deri në Egjipt, Brazil e më tej. Të gjithë ndjekin të njëjtën kurrikulë dhe vlerësohen me të njëjtin standard. Kjo i jep çdo studenti, pavarësisht vendit ku ndodhet, mundësi të barabarta për të shkëlqyer.

Cilat programe apo iniciativa kërkimore mund të lindin nga ky bashkëpunim? A priten zhvillime të reja në të ardhmen e afërt?

James Abdey:Në LSE jemi një institucion që udhëhiqet nga kërkimi shkencor. Akademikët tanë nuk janë vetëm mësimdhënës, por kërkues aktivë që sjellin mendimin më të përditësuar në fushat përkatëse në auditorë. Kjo do të thotë që ajo çfarë u mësohet studentëve në Tiranë është në përputhje me zhvillimet më të fundit teorike dhe praktike.
Ne e rishikojmë çdo pesë vjet çdo lëndë që ofrojmë për të siguruar që përmbajtja e saj të pasqyrojë evoluimin më të ri të njohurive në fushat përkatëse. Përtej studimeve bazë, ofrojmë edhe mundësi shtesë për zhvillimin e aftësive praktike përmes programeve digjitale si Excel, Python apo kurse të tjera që i ndihmojnë studentët të jenë gati për tregun e punës.
Gjithashtu, bashkëpunojmë ngushtë me Shërbimin e Karrierës së Universitetit të Londrës, duke përfshirë dhjetë aftësi bazë të punësimit në kurrikulën tonë. Kjo u jep studentëve jo vetëm njohuri teorike, por edhe kompetenca konkrete për t’u integruar me sukses në tregun ndërkombëtar të punës.

A kanë studentët mundësi të transferojnë studimet e tyre në Londër dhe anasjelltas?

James Abdey:Po, absolutisht po. Kjo është një nga mundësitë më të vlefshme që ofron ky program.
Së pari, studentët mund të marrin pjesë në Shkollën Verore të LSE-së, programi më i madh i këtij lloji në Evropë, ku ofrohen kurse trejavëshe intensive në kampusin e LSE-së në Londër. Nëse një student ndjek dy lëndë dhe arrin rezultate të mira, mund t’i transferojë këto kredi në programin që po ndjek në Universitetin Luarasi.
Së dyti, ekziston Programi i Përgjithshëm i LSE-së, një program vjetor shumë konkurrues që u jep studentëve mundësinë të kalojnë një vit të plotë akademik në LSE. Studentët nga Luarasi që kanë rezultate të larta mund të aplikojnë për këtë mundësi.
Së treti, shumë studentë synojnë të vazhdojnë studimet master në LSE. Meqenëse programet që ndjekin në Shqipëri janë hartuar nga vetë akademikët tanë, ata kanë një përparësi të natyrshme në procesin e pranimit.
Në thelb, kurrikula është e standardizuar në të gjitha 132 qendrat tona të mësimdhënies, kështu që një student mund të ndjekë vitin e parë në Shqipëri, të dytin në një vend tjetër dhe të tretin në një tjetër continent, duke fituar një eksperiencë të pasur ndërkombëtare.

Studentët do të marrin një diplomë ndërkombëtare me kosto më të ulët. Si funksionon kjo dhe çfarë vlere ka diploma e tyre?

James Abdey:Pas përfundimit me sukses të studimeve, studentët marrin një diplomë nga Universiteti i Londrës, ku shënohet qartë që programi është nën drejtimin akademik të LSE-së. Diploma është e njëjtë për të gjithë studentët në botë , pavarësisht nëse studiojnë në Shqipëri, Egjipt apo Brazil dhe nuk përmban asnjë referencë për vendin ku kanë studiuar.
Të gjitha provimet, detyrat dhe format e vlerësimit hartohen dhe korrigjohen nga akademikët e LSE-së, duke garantuar të njëjtin standard me atë që aplikohet në Londër.
Në lidhje me tarifat e studimit, po, ato janë dukshëm më të ulëta sesa në LSE Londër. Kjo është bërë me qëllim për të ulur barrierat financiare dhe për t’i dhënë më shumë studentëve mundësinë të ndjekin kurrikulën e LSE-së. Edhe pse kriteret e pranimit janë më fleksibël, standardet e mësimdhënies dhe të vlerësimit mbeten të njëjta. Çdo student vlerësohet sipas të njëjtit nivel akademik që kërkohet edhe në Londër.

Si ka qenë interesi i studentëve për këtë vit dhe a kanë nisur regjistrimet për vitin e ardhshëm?

James Abdey:Ka qenë kënaqësi e madhe të takoj grupin e parë të studentëve që ndjekin programet globale të LSE-së në Universitetin Luarasi. Aktualisht kemi rreth 15 studentë të ndarë në tre programe: Financë, Biznes dhe Menaxhim, si dhe Shkencë të të Dhënave & Analitikë Biznesi.
I pyeta pse e zgjodhën këtë program dhe përgjigjet ishin të ndryshme. Disa synojnë të futen shpejt në tregun e punës, ndërsa të tjerë e shohin këtë si një hap drejt studimeve master në LSE. Gjatë studimeve, shumë prej tyre do të zbulojnë fusha të reja interesi, pasi kurrikula përfshin edhe ekonomi, matematikë dhe statistika.
Procesi për të sjellë këto programe në Shqipëri ka qenë i gjatë, rreth gjashtë deri në shtatë vjet nga idetë e para deri te regjistrimet e para. Tani që programet janë realitet, interesi është në rritje të ndjeshme, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Për këdo që është i interesuar, inkurajoj të kontaktojë Universitetin Luarasi për të mësuar më shumë rreth programeve, kërkesave të pranimit dhe afateve kohore. Ne do të mbështesim çdo student serioz e të përkushtuar për t’u siguruar që të arrijë kriteret e pranimit dhe të ketë sukses në këto programe.

Si e parashikoni të ardhmen e këtij partneriteti mes LSE dhe Universitetit Luarasi?

James Abdey:E ardhmja është jashtëzakonisht premtuese. Universiteti Luarasi ka kapërcyer tashmë pengesën më të madhe njohjen formale nga Universiteti i Londrës si Qendër e Njohur e Mësimdhënies për programet globale të LSE-së.
Në të ardhmen, në varësi të kërkesës së tregut dhe mundësive lokale, Luarasi mund të zgjerojë ofertën me programe të reja. Aktualisht, LSE ofron programet globale vetëm në nivel bachelor, por anëtarë të tjerë të Federatës së Universitetit të Londrës ofrojnë edhe programe master, përfshirë MBA.
Shembulli i Singaporit është frymëzues Instituti i Menaxhimit në Singapor do të festojë 40-vjetorin e bashkëpunimit me ne në vitin 2026, duke u zgjeruar nga vetëm 40 studentë në mijëra. Mendoj se kjo tregon çfarë është e mundur edhe për Luarasin.
Duke qenë se është e vetmja qendër e njohur e mësimdhënies në Ballkan, Luarasi ka potencial të tërheqë studentë nga e gjithë rajoni. Dhe kush e di, ndoshta shumë prej tyre do të vazhdojnë më pas ëndrrën e tyre për studime master në LSE.
Ne gjithashtu ofrojmë bursa të bazuara në meritë, që u jepen studentëve me rezultatet më të larta akademike. Këto janë mundësi të barabarta për të gjithë studentët në botë.
Dua që studentët shqiptarë të synojnë lart, të ëndërrojnë dhe të besojnë se mund të arrijnë më të mirën. Dhe jam krenar që LSE po u jep këtë mundësi për herë të parë këtu, në Tiranë.

Faleminderit, z. Abdey, që ndatë me ne këto informacione. Ju urojmë suksese në këtë bashkëpunim dhe një vit të mbarë akademik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb