Detaje të reja janë zbuluar mbi atentatin e ndodhur dy ditë më parë në Rinas ku u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Në Spitalin e Traumës, vijon të jetë i intubuar shoqëruesi i Danit, punonjësi i Policisë së Shtetit, Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili mori 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë.
Përveç targave greke, edhe makina “Toyota” rezulton të jetë e vjedhur në Greqi në tetor të 2022.
Ndërkohë, janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit të cilët kanë dhënë dëshmitë para grupit hetimor.
Që pas atentatit, policia ka kryer kontrolle në disa zona të ndryshme, Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë Krujë, por pa rënë në gjurmët e autorëve.
Makina e vrasësve u gjet e djegur në fshatin Halil të Fushë Krujës rreth 1 orë pas atentatit.
