Garda Revolucionare Iraniane konfirmoi sot se ka sekuestruar një anije cisternë në ujërat e Gjirit Persik, pasi mjeti lundrues ndryshoi papritur kurs të premten në Ngushticën e Hormuzit dhe u drejtua drejt ujërave territoriale të Iranit. Sipas deklaratës zyrtare, incidenti ndodhi të premten, rreth orës 04:00 GMT. Njësitë e reagimit të shpejtë të Marinës së Gardës ndërhynë pasi një gjykatë iraniane kishte urdhëruar sekuestrimin e ngarkesës së anijes Talara, e cila lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall.

“Cisterna po transportonte ngarkesë për të cilën nuk kishte licencë,” thuhej në deklaratë. Anija mbante rreth 30.000 ton produkte petrokimike dhe kishte destinacion Singaporin. Pas kapjes, ajo u shoqërua në një pikë ankorimi brenda ujërave iraniane, ku po hetohen shkeljet e pretenduara. Sipas firmës britanike të sigurisë detare Ambrey, cisterna ishte nisur nga Ajman në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe po kalonte në Ngushticën e Hormuzit kur u afrua nga tre mjete të vogla detare të Gardës Revolucionare.

Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, ka qenë shpesh skenë tensionesh dhe incidenteve të natyrës detare. Vitin e kaluar, Garda Revolucionare sekuestroi një anije kontejnerësh, duke akuzuar kompaninë pronare se kishte lidhje me Izraelin, pas një sulmi ndaj konsullatës iraniane në Siri – një ngjarje për të cilën Teherani fajësoi Tel Avivin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb